Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, deklaroi se serbët e Kosovës, unanimisht kanë vendosur të braktisin institucionet e vendit. Rakiq theksoi se ai ka dorëzuar detyrën e tij si ministër në qeverinë e Kosovës dhe se i njëjti vendim është marrë nga të gjithë serbët që shërbejnë në administratën e vendit. Ai ka treguar se kanë vendosur që serbët të largohen nga të gjitha institucionet politike – Kuvendi, Qeveria dhe 4 komunat, por edhe nga drejtësia, policia dhe administrata.
Ky vendim vjen pas disa takimesh që Rakiq zhvilloi me drejtuesit më të lartë politike të Serbisë në Beograd dhe argumenti i përdorur nga serbët është shprehja e revoltes së tyre ndaj vendimit të qeverisë Kurti për çështjen e targave. Serbët po ashtu shprehën zemërimin e tyre pas pezullimit nga detyra të drejtorit rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq.