Nga Hysamedin Feraj

A mund të kthehet Serbia krah Perëndimit kundër Rusisë?

Përgjigjja e shkurtër: jo.

Përgjigjja e gjatë: po, por vetëm me një pjesë të Perëndimit kundër një pjese tjetër të Perëndimit, dhe vetëm me atë pjesë të Perëndimit me të cilën është rreshtuar edhe Rusia.

I.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron  beson se Serbia dhe Franca mund të jenë “vëllezër armësh”. Këtë besim e mbështet në përvojën (historike) e Luftës së parë Botërore, veçanërisht në Frontin e Selanikut (Tanjug, 21.Nov. 2018, gazeta “Politika”, Beograd).

Macroni, dhe të tjerë , si Hill ose Blinken, që besojnë se Serbia mund të rreshtohet me Perëndimin kundër Rusisë, mund t’i shtojnë këtij rasti edhe Luftën e Dytë Botërore, madje edhe raste nga shekulli 18 e 19.

Në asnjë prej këtyre rasteve Serbia nuk ka qenë krah Perëndimit kundër Rusisë, por krah vetëm një pjese të Perëndimit kundër një pjese tjetër të Perëndimit, dhe, siç u tha, pikërisht me atë pjesë të perëndimit me të cilin ka qenë edhe Rusia.

Kështu, në shekullin 18 Serbia ka qenë krah Austro-Hungarisë (Perëndimit) kundër Perandorisë Osmane, por me Austro-Hungarinë kundër Perandorisë Osmane ishte edhe Perandoria Ruse.

Nga fundi i shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, mbasi Perandoria Austro-Hungareze ishte në konflikt me Perandorinë Ruse, mes tjerash edhe për shkak të shtrirjes së ndikimit të Perandorisë Ruse (përmes Serbisë) në Ballkan, Serbia ishte krah Rusisë kundër Austro-Hungarisë. 

Në Luftën e Parë Botërore, dhe më konkretisht në Frontin e Selanikut, Serbia ishte krah Francës etj., kundër Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë., por me Francën kundër tyre ishte dhe Rusia.

Në luftën e Dytë Botërore Serbia është krah Francës, Anglisë, SHBA-ve kundër Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, por krah Francës, etj., ishte edhe Rusia (BRSS).

II. 

Njohja e mbështetur në histori është njohje hjumeane, domethënë njohje nga përvoja. Njohja nga përvoja është vetëm njohje probabël, pra jo e sigurtë, por vetëm e mundshme.

Mbështetur në probabilitet, në shtrirjen e probabilitetit nga 0 në 10, gjasat (probabiliteti) që Serbia të renditet me Perëndimit kundër Rusisë janë afër zeros. Gjasat që Serbia të rreshtohet me një pjesë të Perëndimit kundër një pjese tjetër të perëndimit, dhe pikërisht me atë pjesë të Perëndimit me të cilin rreshtohet Rusia janë afër dhjetës.

Po të vijohet dija e Macronit, do të thotë se nëse Franca (Macroni) do që serbët t’i ketë “vëllezër armësh” mund t’i ketë vetëm nëse i shpall luftë Gjermanisë, ose Anglisë, ose Polonisë, pra një pjese të Perëndimit, dhe atëherë sigurisht me Francën do të rreshtohet edhe Rusia, e për rrjedhojë edhe Serbia. 

Përndryshe, po të vijohet dija probabël e Macronit, gjasat që Serbia të bashkohet me Perëndimin e pa përçarë kundër Rusisë, janë afër zeros, dhe pra përpjekje të shpenzuara kot. Këto përpjekje Serbia i percepton me të drejtë si përçarje e Perëndimit në qëndrimet ndaj Rusisë, dhe prandaj luan e sigurt lojën e pronarit të kazinosë politike, ku zakonisht (pra me probabilitet të madh) humbin lojtarët dhe fiton pronari. 

Ka edhe në problem me dijen probabël: parashikimi i rezultatit, pra edhe i fitores, mund të “dihet” në rastin e llogaritjes së numrave të mëdhenj, domethënë përsëritjes së lojës në numër të madh. Mirëpo bazuar në histori, numri i rasteve (përsëritjes së lojës) është shumë i vogël për me besu në parashikimin e fitores. 

Mirëpo, mbase Macroni e di, por do të shfrytëzojë rastin të shes armë e jo ta fitojë ndeshjen me Rusinë e Putinit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *