Nga Enver Bytyçi 

Dikur Gjeorgjia, në vitin 2008, ishte në luftë me Rusinë. Ish-kryeministri i asaj kohe, Vladimir Putin, urdhëroi aneksimin e Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugor, në të cilat shumica e popullsisë ishte rusisht folëse, dhe ky agresion rus u bë shkak i një konflikti midis të të dy vendeve. Kur ndodhën këto ngjarje Gjeorgjia kishte etje të bëhej anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Popullsia gjeorgjiane në mbi 2/3 ishte properëndimore. Por Angela Merkel në samitin e radhës të NATO-s vuri veton që Gjeorgjia të bëhej anëtare e kësaj organizate të fuqishme. Merkel kishte frikë nga Rusia. Georg W. Bush u tërhoq nga këmbëngulja e tij për pranimin e Gjeorgjisë në Aleancën Atlantike.

Për pasojë, sot Gjeorgjia ka ndërruar kahje. Në votimet e fundit parlamentare qytetarët e saj votuan partitë pro-ruse të këtij vendi. Shkaku: – Frika se Rusia do të hakmerret me agresion kundër këtij vendi, nëse do të votonte subjektet politike pro-perëndimore. U tha se kishte manipulime nga ana e Rusisë. Dhe kjo është e natyrshme të ketë ndodhur në një terren konfliktual midis Lindjes dhe Perëndimit. Por është i pakontestueshëm fakti se numri i gjeorgjianëve që votojnë partitë pro-ruse është dy ose trefishuar krahasuar me vitin 2008. Kjo nuk do të kishte ndodhur sot, nëse atëherë Gjeorgjia do të bëhej pjesë e NATO-s dhe nëse ajo do të kishte hapur kapitujt e anëtarësimit në BE.

Moldavia gjithashtu është në ankth të madh që prej 24 shkurtit 2022, kur Rusia sulmoi Ukrainën. Frikë se një ditë forcat ushtarake ruse do të mbërrijnë në këtë vend dhe do ta pushtojnë atë. Frika ruse çoi që në një referendum të kohëve të fundit moldavët të votojnë thuajse 50:50 përqind në një referendum, nëse ata duan integrimet euro-atlantike, apo duan të heqin dorë prej këtyre integrimeve. Një vend, ku para disa vitesh rreth 70 përqind e popullsisë përkrahte fuqishëm integrimet euro-atlantike, po ve në diskutim rrugën e zhvillimit demokratik në modelin perëndimor. Madje po duket se shkon drejt asaj që sigurinë e vendit t’ia besojë Rusisë.

Ndërkohë euro deputetja Cramon shkroi në llogarinë e saj se në Gjeorgji “përsëriten tani pikërisht ato që ndodhën në Serbi në vitin 2023, d.m.th. se u përdorën të njëjtat metoda dhe e njëjta gjuhë mashtrimi”. Por, shkruante Cramon, Aleksandër Vuçiq e bëri manipulimin e tij të zgjedhjeve në mënyrë më elegante”! Kundër kësaj deklarate ka reaguar kryetarja e parlamentit të Serbisë, Anna Brnabiq, duke marrë në mbrojtje shefin e saj, presidentin Vuçiq.

Po pse reagoi Brnabiq? Sepse Viola von Cramon zbuloi një të vërtetë, të cilën nuk duan ta pranojnë në Bruksel e madje as në Uashington. Atë se Serbia është dhe mbetet në linjën ruse. Pra se shtirja e saj si aleate e BE-së dhe SHBA-ve është thjesht në funksion të përfitimeve territoriale e politike në konfliktin serb me Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Se Serbia nuk do të jetë asnjëherë politikisht e ushtarakisht në anën e Perëndimit, kjo është tashmë shumë e ditur dhe e njohur. Se ajo do të bëhet pjesë e Brics në momentin e përshtatshëm për të, kjo nuk ka asnjë dilemë. Se në zgjedhjet serbe do të votohen gjithmonë e pandërprerë politikanët pro-rusë, as kjo nuk vihet në dyshim, derisa shumica dërmuese e serbëve janë pro Rusisë.

Por, Gjeorgjia dhe Moldavia na japin edhe një mesazh, të cilin Serbia e ka dhënë prej kohësh, mesazh të cilin diplomatët perëndimorë nuk duan ta lexojnë me realizëm. Gjorgjianët dhe moldavët po kthehen në shumicë pro Rusisë, pasi ata besojnë se aleanca me Moskën parandalon pushtimin ushtarak të saj. Vonesa në integrime është shkaku i kësaj situate. Megjithatë Serbia nuk e ka këtë dilemë. Rusia nuk e ka pushtuar ndonjëherë Serbinë, nëse nuk e quajmë pushtim kalimin e forcave të Ushtrisë së Kuqe të Stalinit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Por serbët dhe Serbia frymëzohen nga ndryshimi radikal i Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Në Serbi tani thuhet “Kur këto vende e popuj pro-euro-atlantikë, ndryshuan kahjen e aleancës së tyre pro Rusisë, pse duhet të tërhiqemi ne nga kjo aleancë historike dhe e dobishme”?! Ata shtojnë kështu simpatinë për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin. Manovrat politike të Aleksandër Vuçiq nuk mund ta fshehin të vërtetën e forcimit të lidhjeve të gjithanshme Serbi-Rusi.

Dhe kjo që po ndodh vjen gjithashtu për shkak se Bashkimi Europian dhe SHBA, pra Perëndimi, kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë llogari të gabuara. Atëherë kur ishte koha e presioneve ndaj Beogradit, aleatët perëndimorë e adresuan presionin te viktimat e serbeve, te Kosova, Mali I Zi dhe BH. Në të tri këto vende përkrahën më shumë forcat pro-serbe, sesa forcat pro-sovranitetit të këtyre shteteve. Madje të njëjtën gjë bënë edhe në Shqipëri. Në kryeqytetet evropianë pati entuziazëm të jashtëzakonshëm kur shihnin përqafimet Rama-Vuçiq. Harruan se këto përqafime ishin thikë pas shpine për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe interes i Rusisë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *