Federata e Futbollit të Serbisë i është drejtuar zyrtarisht UEFA-s me kërkesën për të ndryshuar stadiumin ku pritet të zhvillohet përballja me Shqipërinë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026. Sekretari i përgjithshëm i federatës, Branko Radujko, ka bërë të ditur se dëshira e tyre është që sfida të mos luhet në Beograd, por në Leskovac.

Radujko theksoi se atmosfera në Leskovac është më e favorshme për përfaqësuesen serbe, ndërkohë që në kryeqytet shpesh ka pasur tensione mes tifozëve vendas. Sipas tij, stadiumi i vogël i Leskovacit me rreth 8 mijë vende lejon kontroll më të lehtë të turmave, duke lënë të kuptohet se nëse luhet në Beograd rreziku i trazirave është i madh.

“Takimi me Anglinë ishte një zhgënjim, jo vetëm për rezultatin, por për gjithçka që ndodhi. Besuam se ishte një mundësi për të krijuar një valë pozitive në stadiumin tonë të madh, por kjo nuk ndodhi. Ishte një shans i humbur, megjithatë ne nuk do të ndalemi në misionin tonë. Po punojmë fort që ndeshja me Shqipërinë të zhvendoset në Leskovac, aty ku ekipi është pritur gjithmonë me mbështetje të madhe dhe ku kemi marrë rezultate të rëndësishme”, u shpreh ai.

Më tej, Radujko konfirmoi se trajneri Dragan Stojkoviç do të vazhdojë në pankinë dhe theksoi rëndësinë e sfidës me Shqipërinë.

“Kemi pritshmëri të qarta që ekipi të japë maksimumin, nga fillimi deri në fund, me synimin e vetëm për të fituar. Pas ndeshjes me Shqipërinë do të shqyrtojmë raportin e trajnerit dhe do të marrim vendime për të ardhmen. Ky takim është vendimtar për play-off të Botërorit dhe mbetet prioriteti ynë absolut. Lojtarët tanë aktivizohen në klube e kampionate të forta, e kanë treguar se dinë të bëjnë krenar kombin dhe besoj se do ta përsërisin edhe këtë herë”, përfundoi sekretari i FSS-së.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *