Nga Agim Morina
Gazeta ma e madhe «Politika» e Serbisë përcjell një porosi të shkurtë të gazetarit të njohun klerofashist të Serbisë, Miroslav Lazanski, i cili vdiq tre vjet ma parë. Cili asht thelbi i porosisë së Lazanskit që ribotohet në këtë kohë?
Porosia asht që asnjëherë asnjë politikan i Serbisë nuk duhet të nënshkrujë humbjen e Kosovës. Vetëm nënshkrimi i tillë nga serbët do të nënkuptonte humbjen e përhershme, përfundimtare, të Kosovës.
Hebrejtë, përkujton klerofashisti Lazanski, kanë pritë dy mijë vjet për me u kthy në Jerusalem dhe u kthynë. Sipas tij edhe serbët duhen me pritë, qoftë edhe dy mijë vjet, por mos me nënshkru kurrë humbjen e Kosovës. Sipas këtij zadhanësi kriminel të të gjitha luftave në Jugosllavi në vitet ’90 dhe antishqiptari të përbetuem, serbët duhen me u përgatitë për një luftë të ardhshme mijëvjeçare kundër shqiptarëve.
Botimi i këtij shkrimi të shkurtë dje, me këtë përmbajtje, asht porosi për klerofashistin Aleksandar Vucici që aj mundet me ba çdo gja në bisedimet me Kosovën, por një gja nuk guxon me ba kurrë: me nënshkru «humbjen e Kosovës».
E kemi pa vazhdimisht që Vucicit nuk pranon me nënshkru asnjë dokument rreth Kosovës, që lidhet fort me këtë porosi dhe me përshëndetjen klerofashiste serbe “[Mirupafshim] vitin tjetër në Prizren!” [«Dogodine u Prizrenu!»]. Vetëm mendjet e kalbuna klerofashiste serbe munden me ardhë deri në këtë derexhe e me u përgatitë për një luftë dymijëvjeçare me shqiptarët.
Kjo asht një arsye ma shumë pse pala shqiptare e Kosovës duhet me ngulë kambë që çdo marrëveshje me Serbinë duhet me pasë nënshkrim.
* * *
Gazeta «POLITIKA», 17.09.2023
«ÇFARË KA PROPOZUAR LAZANSKI PËR KOSOVËN?
Gazetari legjendar i Politikës, komentatori ushtarako-politik dhe diplomati Miroslav Lazanski ka folur disa herë për një zgjidhje për Kosovën.
Lazanski haptazi angazhohej për një zgjidhje ushtarake dhe theksonte se ai vetë më së shumti do të donte që Serbia të kishte fuqi të mjaftueshme për të zgjidhur çështjen e Kosovës me mjete ushtarake dhe kështu të rifitonte sovranitetin dhe kontrollin mbi krahinën jugore.
Megjithatë, i ndërgjegjshëm për rrethanat në të cilat ndodhet Serbia, Lazanski propozoi se ç’mund të bëhet që populli serb të mund të mbijetojë në Kosovë.
– Serbëve duhet t’u mundësohet që në një farë mënyre të qëndrojnë, që të mos u kërcënohet jeta, por kurrë të mos nënshkruhet humbja e Kosovës, sepse nëse nënshkruni, atëherë gjithçka merr fund. Nëse nuk nënshkrujmë, e kemi tapinë. Pas njëqind vjetësh do të vijnë të tjerë serbë, do të jetë ndonjë situatë tjetër politike, konteksti gjeopolitik në Ballkan do të ndryshojë. Do të ketë mundësi që të kthehet një herë. Hebrenjtë pritën dy mijë vjet me marrë Jerusalemin dhe çdo vit përshëndeteshin me njëri-tjetrin me “[Mirupafshim] vitin tjetër në Jerusalem” dhe ia dolën me u kthy. Ne do ta humbim Kosovën në çastin që do të besojmë dhe do të pajtohemi që e kemi humbë. Për sa kohë që kemi me besu dhe besojmë që nuk mund ta humbim, nuk do ta humbim atë.»