Ndërkohë që perëndimi kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, Serbia e shkel hapur atë.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç u shpreh se gjatë turit të tij aziatik kishte marrë garanci nga shtete si Taxhikistani, Uzbekistani dhe Kirgistani për mosnjohjen nga ana e tyre të shtetit të Kosovës.
Ky angazhim i diplomacisë serbe tregon se Beogradi vijon lobimin kundër Kosovës në kundërshtim me dakordësinë e marrëveshjes së Ohrit.
“Vizita në Taxhikistan ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, duke pasur parasysh, siç thashë gjatë vizitës në Uzbekistan dhe Kirgistan, se Serbia neglizhoi rajonin e Azisë Qendrore, i cili është shumë i rëndësishëm, ku janë pesë vende jashtëzakonisht miqësore dhe tradicionalisht të afërta me ne të cilat janë në anën tonë kur bëhet fjalë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit tonë territorial.
Në bisedimet me zyrtarët e Taxhikistanit u konfirmua edhe një herë mbështetja e Taxhikistanit për integritetin dhe sovranitetin tonë territorial dhe u tha qartë se nuk do ta njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës. Asnjë nga ato vende nuk do ta njohë Kosovën dhe do të vazhdojë të mbështesë qëndrimet parimore të Republikës së Serbisë.” – tha Daçiç.