Drejtuesi i “Nisma Thurje” kërkoi një reagim nga kryeministri i vendit pas akuzave të Gazmend Bardhit se vëllai i tij, Olsi Rama ka lidhje me trafikantë droge.
Shabani shkroi në fejsbuk se nëse dokumentet e paraqitura nga Bardhi janë të vërteta, Rama duhet të japë dorëheqjen.
“Kush na mbron nga kriminelët nëse kryeministri bashkëpunon me ta?
Gaz Bardhi nxori sot disa dokumente që dëshmojnë lidhjen direkte të vëllait të kryeministrit me laboratorin e drogës në Xibrakë.
Një nga provat e paraqitura është që makina me targë AA653DM, është në pronësi të Olsi Ramës dhe është përdorur nga trafikantët.
Nëse Gaz Bardhi ka falsifikuar dokumentet Edi Rama duhet të dalë dhe të dëshmojë të kundërtën.
Nëse këto prova janë të vërteta Edi Rama duhet të ndihmojë policinë në arrestimin e vëllait të tij dhe të japë menjëherë dorëheqjen.
E para, duhet të japë dorëheqjen, sepse përfshirja e vëllait të tij, ka penguar punën e policisë dhe mund të jetë çuar në dekonspirimin e këtij operacioni ndërkombëtar.
E dyta, duhet të japë dorëheqjen, sepse minimalisht ka qënë i paaftë të drejtojë policinë që të arrestojë trafikantët, dhe maksimalisht ka bashkëpunuar në arratisjen e tyre.
E treta, duhet të japë dorëheqjen, sepse përfshirja e vëllait të kryeministrit i ka dhënë imunitet kriminelëve dhe trafikantëve.
Ky duhet të jetë një nga rastet e rralla në botë dhe të vetmet në Evropë ky familja e kryeministrit është direkt e përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.
Shqipëria nuk e meriton të përfaqësohet ndërkombëtarisht nga një trafikant droge.
Shqiptarët meritojnë një qeveri që i mbron duke qënë përballë kriminelëve, jo në krahë të tyre!
Nëse Rama nuk jep dorëheqjen, Bardhi dhe grupi i tij i deputetëve duhet të kërkojnë mocion mosbesimi në Parlament! I duhen 28 vota për ta nisur.” – shkruan Shabani.