Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e sheh dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç si strategji për të mbajtur në pushtet Aleksandër Vuçiçin.
Kamberi thekson se presidenti i Serbisë po përpiqet të manovrojë me çdo mjet që i siguron qëndrimin në pushtet.
Statusi i Shaip Kamberit
Protestat dymujorëshe të studentëve dhe popullsisë së revoltuar të Serbisë për përfshirjen e qeverisë së këtij vendi në afera korruptive me pasoja të përgjakshme, si duket më në fund dhanë rezultat.
Një zhvillim i “papritur” ka tronditur sot skenën politike në Serbi: kryeministri Miloš Vučević, një nga figurat më të fuqishme dhe më besnike të presidentit Aleksandar Vučić, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.
Ky vendim, i raportuar si “personal”, ka ngjallur një valë të madhe spekulimesh dhe pyetjesh nëse kjo dorëheqje është sinjal i krizës së brendshme brenda strukturave të pushtetit apo një lëvizje e mirëplanifikuar që, duke riorganizuar qeverinë, të zgjatet jeta e pushtetit aktual.
Vučević, i njohur për qëndrimet e tij të forta, ka qenë aleat i ngushtë i Vuçiçit dhe figurë kyçe në Partinë Progresive Serbe (SNS), por veç një drejtues formal i Qeverisë së Serbisë, e cila ka qenë nën diktatin e plotë të Aleksandar Vučić, që kontrollon gjithçka në këtë shtet.
Dorëheqja e tij vjen në një periudhë tejet delikate për Serbinë, kur po përballet me një sërë sfidash: nga disfata në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjska, mundësisë së përfshirjes në sulmin tjetër terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës, presionet e brendshme për reforma zgjedhore, deri te presionet ndërkombëtare në rritje ndaj politikës së jashtme të Vuçiçit për ekuilibrimin në katër karrige (BE, Uashington, Moskë e Pekin).
Në dorëheqje, Vučević sërish akuzoi shërbimet perëndimore për rolin e tyre në protestat në Serbi.
Po ashtu, sot edhe Milan Gjurić, kryetari i Novi Sadit, pritet të japë dorëheqje, duke krijuar vakume të rëndësishme në nivele të ndryshme të qeverisjes.
Është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë me pjesëmarrjen e Vuçiçit për të diskutuar “çështje të rëndësishme për shtetin”, me gjasë edhe për zgjedhjet e radhës.
Natyrshëm ngrihen pikëpyetjet: Çfarë fshihet pas këtyre lëvizjeve? A është kjo një krizë e thellë në strukturat e pushtetit, apo strategji e menduar mirë për të përgatitur terrenin për zgjedhje të reja ose për të lehtësuar presionet ndërkombëtare?
Do të jetë kjo një kapitullim i Vuçiçit para studentëve të revoltuar, apo është vetëm një taktikë e tij e re për t’i zgjatur jetën pushtetit të tij autoritar?
Vuçiç, ditë më parë, ka filluar një proces të ri të krijimit të të ashtuquajturës “Lëvizje për shtetin”, organizim ky politik në të cilin do të përfshijë “figura të pakomprometuara”, duke u shpërlarë kështu nga partia e tij SNS, në të njëjtën formë dhe model qysh ishte shpërlarë nga Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit, me premtimin se me ndërrimin e petkut do të ndryshojë edhe ideologjinë politike radikale të hegjemonisë serbe.
Doli se Vuçiç, si një radikal hegjemonist i përbetuar, me premtime boshe ndaj Perëndimit, vetëm se kishte blerë kohë vazhdimisht për ta forcuar pushtetin e tij në Serbi, duke degraduar në skajshmëri lirinë e fjalës dhe shumë liri të tjera qytetare, sidomos duke shndërruar në normë diskriminimin e pakicave, sidomos të shqiptarëve.
Konfliktuoz me fqinjët, me pretendime hegjemoniste përmes “Botës serbe” ndaj shteteve përreth, Vuçiç është shndërruar në pengesën kryesore për paqen e qëndrueshme në Ballkan.
Në të njëjtën kohë, “pastrimet politike” shtojnë një tjetër dimension në këtë tablo të ngarkuar politike. Politizimi i institucioneve dhe zëvendësimi i punonjësve ekzistues me persona të lidhur me parti specifike janë shqetësime që prekin jo vetëm administratën shtetërore e lokale, por edhe gjithë sistemin e qeverisjes dhe sistemin gjyqësor.
Megjithatë, lëvizjet e fundit në Beograd duhet parë me kujdes, sepse në dukje i dorëzuar ndaj kërkesave të protestuesve, Vuçiç, me gjasë, po përgatit një skenar për daljen nga kriza duke “flijuar” kështu bashkëpunëtorët e vet të afërt.
Ditët në vijim do të qartësohen më mirë se a është vërtet “era e ndryshimeve” ajo që po fryn në Beograd, apo veç një taktikë e re e autokratit serb për tejkalimin e presionit gjithnjë më të madh të studentëve dhe qytetarëve të revoltuar.
“Serbia e revoltuar”, deri sot, ka shprehur vetëm qëndrimet për korrupsionin ndaj pushtetit të Vuçiçit, por jo edhe për tema të tjera të ndjeshme që, për dekada, po qëndrojnë si pengesë në rrugën e demokratizimit të saj.
Opozita serbe, nga ana tjetër, të cilën e bashkon armiqësia ndaj Vuçiçit, por jo edhe vizioni për të ardhmen e Serbisë, është në test serioz. Me shumë gjasë, ata, ose së paku një pjesë e tyre, do të marrin ftesë nga vetë Vuçiç për t’iu bashkangjitur qeverisë së re.
Nëse shohim në të kaluarën, në momentet e krizave më të mëdha që ka pasur Vuçiç, opozita, ky “armik” i përbetuar i tij, ishte përçarë mes vete duke dalë me qëndrime diametralisht të kundërta (siç ishte rasti i vitit 2023 me zgjedhjet e fundit për Beogradin), duke i siguruar kështu atij avantazhin e nevojshëm për ta rifituar kryeqytetin.
Emërimi i ish-kryetarit të DS-it, Dragan Shutanovac (i akuzuar nga Vuçiç dhe SNS se, në cilësinë e ministrit të mbrojtjes, “kishte shitur për skrap tanket serbe”), për ambasador të Serbisë në Uashington, tregon se Vuçiç veçse ka vendosur kontakt me një pjesë të opozitës për planin e tij të “rekonstruimit”.
Çështja mbetet se si do të reagojë “Serbia e revoltuar” në rast të një tradhtie tjetër nga opozita në këtë shtet.
Rekonstruimi me apo pa opozitën nuk ka efekt nëse ky është synim në vete.
Demokratizimi i Serbisë duhet të nisë me reforma serioze në sistemin zgjedhor, sikurse edhe në sistemin e drejtësisë, me ballafaqimin me të kaluarën, sikurse pranimin e hapur të krimeve të luftës, për liritë qytetare, sikurse edhe për të drejtat e pakicave, të cilat përbëjnë 20 për qind të popullatës së gjithmbarshme në këtë vend.