Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës po rriten me ritme të shpejta në Detin e Karaibeve. Ajo që nisi si një operacion amerikan kundër trafikantëve të drogës, tashmë po rrezikon të kthehet në një konflikt të hapur ushtarak, ndërsa regjimi i Nicolas Maduros po kërkon ndihmë nga aleatët e tij tradicionalë, Rusia, Kina dhe Irani.
Sipas një raporti të Wall Street Journal, Pentagoni ka përgatitur një listë objektivash për sulme të mundshme ndaj infrastrukturës ushtarake venezueliane, megjithëse Shtëpia e Bardhë ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Shënjestrat përfshijnë porte, aeroporte dhe baza detare që dyshohet se përdoren për trafikim të lëndëve narkotike.
“Presidenti ka qenë i qartë në mesazhin e tij për Maduron: ndaloni dërgimin e drogës dhe kriminelëve drejt SHBA-së. Ai është i gatshëm të përdorë çdo mjet të mundshëm për të mbrojtur vendin tonë,” – deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.
Në javët e fundit, disa bastisje amerikane në ujërat pranë Venezuelës dhe Kolumbisë kanë rezultuar me dhjetëra viktima, ngjarje që Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka quajtur “të papranueshme”. Në Uashington, ndërkohë, është intensifikuar fushata që e portretizon Maduros si drejtues të një “narko-shteti”.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka theksuar se “Venezuela drejtohet nga një kartel që synon destabilizimin e rajonit”, duke e cilësuar regjimin e Maduros një kërcënim për sigurinë e hemisferës perëndimore.
Megjithatë, presidenti Donald Trump, kur u pyet në lidhje me një ndërhyrje të mundshme ushtarake, zgjodhi të mos konfirmojë asgjë publikisht. Burime të Washington Post raportojnë se, në prapaskenë, Maduro ka nisur një ofensivë diplomatike për të siguruar mbështetjen e aleatëve të tij strategjikë.
Fillimisht, ai i ka dërguar një letër presidentit rus Vladimir Putin, duke kërkuar ndihmë kundër bastisjeve amerikane në Karaibe. Më pas, ai i është drejtuar edhe Kinës dhe Iranit me kërkesë për bashkëpunim ushtarak dhe teknologjik. Në mesazhin për Xi Jinping, Maduro ka kërkuar përshpejtimin e furnizimit me sisteme radarësh për mbrojtjen ajrore të Venezuelës.
Nga ana tjetër, ministri venezuelian i Transportit, Ramón Celestino Velásquez, raportohet se ka ndërmjetësuar një dërgesë nga Irani me pajisje zbulimi dhe dronë me rreze veprimi mbi 1,000 kilometra.
Ndërkohë, Rusia ka dërguar në Karakas një avion të tipit Ilyushin Il-76, i sanksionuar nga SHBA për përfshirje në tregtinë e armëve. Sipas faqes Flightradar24, avioni mbërriti në Venezuelë pas një rruge të gjatë përmes Afrikës, për të shmangur hapësirën ajrore të vendeve perëndimore.
Vetëm një ditë më parë, Moska kishte ratifikuar një traktat të ri strategjik me Karakasin. Dy vendet kanë tashmë projekte të përbashkëta, përfshirë një fabrikë të armëve Kalashnikov dhe kontrata shumë miliardëshe për kërkimin e gazit dhe naftës.
Megjithatë, analistët mendojnë se mbështetja e Kremlinit për Maduron mund të mos jetë aq e fortë sa duket. Ndërkohë që SHBA dhe Venezuela përplasen në Karaibe, Rusia mund të përfitojë politikisht nga tensionet, pa u përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt të ri.

