Washington – Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e armatimeve në vlerë gati 3 miliardë dollarë për Izraelin, duke përfshirë bomba, pajisje për shkatërrimin e eksplozivëve dhe mjete të tjera ushtarake. Njoftimi për këtë shitje iu përcoll Kongresit të premten pasdite me një procedurë urgjente, duke anashkaluar rregullin e zakonshëm që i jep ligjvënësve kohë për shqyrtim dhe kërkesa për informacion shtesë.
Në këtë paketë armësh përfshihen 35,529 bomba me qëllime të përgjithshme dhe për shkatërrimin e bunkerëve, të prodhuara nga kompania General Dynamics. Pentagonit ka bërë të ditur se dërgesat e këtyre armëve do të nisin në vitin 2026, por ka lënë të hapur mundësinë që një pjesë e furnizimit të vijë nga rezervat e SHBA-së, çka do të lejonte një dërgesë të menjëhershme.
Një paketë e dytë, me vlerë 675 milionë dollarë, përfshin pesë mijë bomba dhe sisteme për drejtimin e tyre me saktësi të lartë. Këto armë pritet të dorëzohen deri në vitin 2028. Ndërkohë, një marrëveshje e tretë, me vlerë 295 milionë dollarë, parashikon furnizimin e Izraelit me buldozerë të blinduar Caterpillar D9, të cilët përdoren shpesh nga ushtria izraelite për operacione ushtarake.

Shitja e armëve me procedurë të përshpejtuar
Kjo është hera e dytë brenda muajit që administrata e presidentit Donald Trump shpall një emergjencë për të përshpejtuar furnizimin me armë të Izraelit. Edhe administrata e mëparshme e Joe Biden kishte përdorur të njëjtat kompetenca për të miratuar furnizime ushtarake për aleatët pa kaluar përmes një shqyrtimi të plotë nga Kongresi.
Përveç kësaj, administrata e presidentit Trump ka anuluar një urdhër të epokës Biden që kërkonte raportimin e shkeljeve të mundshme të ligjit ndërkombëtar nga vendet që marrin armë nga SHBA, përfshirë Izraelin. Gjithashtu, janë shkurtuar ndihmat humanitare për vendet e tjera, një vendim që ka shkaktuar reagime të forta në qarqet ndërkombëtare.
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit mbetet i brishtë
Vendimi për shitjen e armëve vjen në një kohë kur marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit është në një fazë të pasigurt. Armëpushimi i arritur muajin e kaluar ndali 15 muaj luftime dhe lejoi lirimin e 44 pengjeve izraelite të mbajtura në Gazë, si dhe të rreth 2,000 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Megjithatë, tensionet vazhdojnë, pasi të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes, duke vënë në rrezik fazën e dytë të saj. Kjo fazë parashikon lirime të tjera pengjesh dhe të burgosurish, si dhe hapa konkretë drejt një përfundimi të plotë të konfliktit.
Ndërkohë, vendimi i SHBA për të armatosur më tej Izraelin pritet të shkaktojë debate të ashpra brenda dhe jashtë vendit, sidomos në një kohë kur rajoni mbetet i tensionuar dhe përpjekjet diplomatike për paqe janë ende të brishta.