CNN dhe CBS News raportojnë se forcat e armatosura amerikane janë në gatishmëri për të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj Iran gjatë fundjavës, nëse një veprim i tillë miratohet nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas mediave amerikane, SHBA po përforcon ndjeshëm praninë detare dhe ajrore në rajon, duke krijuar kapacitete që mund të shërbejnë për një operacion të gjerë ushtarak. Raportohet se në qershor 2025, Trump kishte urdhëruar sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane në Natanz, Isfahan dhe Fordow, me mbështetjen e Izraelit, duke pretenduar se infrastruktura bërthamore ishte shkatërruar.
Pas një periudhe relative qetësie, tensionet u rritën sërish kur Trump paralajmëroi për ndërhyrje ushtarake nëse Teherani vazhdon shtypjen e protestave. Ndërkohë, dy vendet kanë nisur bisedime për çështjen bërthamore, por presidenti amerikan ka deklaruar se dështimi i negociatave mund të çojë në veprim ushtarak.
Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë, duke ndryshuar kursin e politikës amerikane ndaj Teheranit.
Dy aeroplanmbajtëse në rajon
Ushtria amerikane ka vendosur të paktën 13 anije luftarake në Lindjen e Mesme. Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, e mbërritur në fund të janarit, shoqërohet nga disa shkatërrues dhe fregata. Ndërkohë, aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford po lëviz nga Atlantiku drejt Gjirit Persik, me urdhër presidencial.
Vendosja e dy aeroplanmbajtëseve amerikane njëkohësisht në rajon konsiderohet një zhvillim i rrallë dhe ishte parë për herë të fundit gjatë përshkallëzimit të mëparshëm të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit.
Flotë e zgjeruar ajrore
Përveç forcave detare, SHBA ka pozicionuar një numër të madh avionësh luftarakë dhe mbështetës në Lindjen e Mesme, përfshirë F-22, F-15 dhe F-16, si dhe avionë vëzhgimi, furnizimi me karburant dhe transporti. Sipas të dhënave të publikuara nga platforma e specializuar FlightRadar24, lëvizjet ajrore në rajon janë shtuar ndjeshëm.
Kërcënime dhe negociata
Pas protestave të janarit në Iran, të cilat sipas organizatave të të drejtave të njeriut rezultuan me mijëra viktima, Trump ka shtuar deklaratat paralajmëruese ndaj Teheranit. Ai ka bërë të ditur se nëse nuk arrihet një marrëveshje për programin bërthamor, pasojat do të jenë të rënda, duke përmendur për herë të parë publikisht edhe mundësinë e ndryshimit të regjimit si skenar të preferuar.

