Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar aeroplanmbajtësen më të madhe të flotës së tyre, USS Gerald R. Ford, në ujërat e Karaibeve, si pjesë e operacioneve të Komandës Jugore të SHBA-së. Vendimi është shoqëruar me tensione të mëdha diplomatike, pasi Venezuela e cilësoi këtë veprim si “kërcënimin më të madh ushtarak në një shekull”.
Presidenti Nicolas Maduro reagoi ashpër, duke akuzuar Uashingtonin për “komplot lufte” ndaj vendit të tij dhe përpjekje për të justifikuar një ndërhyrje të mundshme ushtarake nën pretekstin e luftës kundër trafikut të drogës.
“Ata po përgatisin një luftë të re. Premtuan se nuk do të nisnin kurrë një tjetër, por po fabrikojnë një luftë që ne do ta ndalim,” tha Maduro në një fjalim të transmetuar në radion dhe televizionin shtetëror.
Udhëheqësi venezuelian paralajmëroi se Venezuela është gati të mbrojë territorin e saj, duke përmendur se vendi zotëron 5,000 raketa ruse Igla-S, të vendosura strategjikisht në të gjithë territorin. Ai njoftoi gjithashtu zhvillimin e manovrave ushtarake përgjatë bregdetit, me pjesëmarrjen e forcave të armatosura, milicisë dhe vullnetarëve.
“Ne nuk duam luftë, por jemi gati për çdo agresion,” shtoi Maduro, duke përmendur mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në rast të një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë amerikane.
Nga ana tjetër, Pentagoni e justifikoi dislokimin e aeroplanmbajtëses si pjesë të operacioneve për luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit ndërkombëtar.
Zëdhënësi i Pentagonit, Hon Parnell, deklaroi në Platformën X se “prania e shtuar e SHBA-së në rajonin e Komandës Jugore do të rrisë aftësinë për të identifikuar, ndjekur dhe ndërprerë aktivitetet kriminale që kërcënojnë sigurinë e Hemisferës Perëndimore”.
Sipas të dhënave zyrtare, vendosja përfshin tetë anije luftarake, një nëndetëse, avionë patrullimi P-8, dronë MQ-9 Reaper, avionë luftarakë F-35 dhe mbi 6,000 trupa amerikane. Në momentin e njoftimit, aeroplanmbajtësja ndodhej në Detin Adriatik, por pritet të arrijë në Karaibe në ditët në vijim.
Në Venezuelë, ky zhvillim ka ngritur ndjeshëm tensionet. Maduro akuzoi SHBA-të për “narrativë të rreme” që, sipas tij, synon rrëzimin e qeverisë së tij dhe sekuestrojnë burimet e naftës së vendit.
“Venezuela është një vend paqeje. Nuk prodhojmë kokainë dhe kemi eliminuar pothuajse tërësisht tranzitin e drogës që vjen nga Kolumbia,” deklaroi presidenti venezuelian.
Analistët ndërkombëtarë paralajmërojnë se dislokimi i USS Gerald R. Ford përbën një përshkallëzim të dukshëm të pranisë ushtarake amerikane në Amerikën Latine, dhe mund të thellojë përplasjet mes Uashingtonit dhe Karakasit në një moment të brishtë për sigurinë rajonale.

