Nga Sebastian Zonja
SHBA-të publikuan këtë javë dokumentin e tyre të shumëpritur për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Statistikisht, sipas të gjitha parametrave – ekonomik, ushtarak, ideologjik dhe teknologjik – SHBA-të mbeten fuqia më e madhe në botë. Strategjia e re na tregon se amerikanët kanë në plan ta ruajnë statusin e më të fortit në botë, të ndryshojnë totalisht rregullat e lojës dhe taktikat përballë aleatëve, vasalëve dhe kundërshtarëve.
Realisht, rendi ndërkombëtar që njihnim ka marrë fund. Liberalizmi është në grahmat e fundit. Fakti që tani ekipi i Presidentit Tramp thotë se e gjithë vëmendja është për shtëpinë dhe bahçen amerikane, se do përzgjedhin me kujdes ku dhe për kë të luftojnë, tregon se fuqia më e madhe në botë ka hequr dorë nga rregullat ndërkombëtare.
Gara me Kinën (teknologji dhe ushtri) është ajo që do definojë dekadat në vijim. Amerikanët e cilësojnë lojtar super të zgjuar që pritet të joshë shumë vende nëpër botë në vitet në vijim. Strategjia sanksionon se nuk ka më kontrata me Pekinin për të blerë porte, fabrika apo teknologji të rëndësishme. Për të siguruar tregtinë e lirë, ushtria amerikane do zhvendoset në Paqësor. Qëllimi: të jemi numri 1 pa filluar luftë me Kinën, por gjithnjë gati nëse ata kërcënojnë për konflikt.
Doktrina Monro (SHBA-të janë të zotët e Amerikës së Jugut) merr vëmendje më të madhe. Në vitin e largët 1823, SHBA-të u thanë perandorive evropianëve: “Mos t’ju shohim më në Amerikë, ky është oborri ynë!” Sot, administrata e re Tramp ka rikthyer këtë koncept. Më shumë ushtarë, anije dhe avionë luftarakë nëpër gjithë Amerikën e Jugut për të shkatërruar kartelet e drogës, për të ndalur emigrantët ilegalë dhe për të mos lënë Kinën apo të tjerë të hyjnë me financime apo baza ushtarake. Uashingtoni ka mbyllur portën e pasme të shtëpisë.
Sa i përket Evropës, ruan ende pak dashuri për miqtë e vjetër. Sipas Uashingtonit, Evropa është e pasur por po dobësohet përdita. Ka probleme me emigrantët dhe rregulla të shumta që ngadalësojnë zhvillimin. “Qytetërim në rënie”, thotë strategjia. Apeli amerikan është “Merrni punët vetë në dorë!”. Nga strategjia kuptojmë se amerikanët kanë frikë më shumë prej destabilizimit të Rusisë se ndarjes së Ukrainës. Sipas tyre, Rusia e destabilizuar shkatërron jo vetëm Evropën, por kërcënon gjithë rendin nëpër botë. Ndaj, negociojnë për të përfunduar luftën në Ukrainë dhe sanksionojnë se nuk ka më zgjerim të NATO-s. Evropa duhet të hap thesin dhe të paguajë vetë për mbrojtjen. S’ka më dollarë amerikanë për mbrojtjen evropiane. Megjithatë, jemi miq, shkruan strategjia. Duam t’i ndihmojmë të ringrihen që të jenë partnerë të fortë, jo barrë. Por kusht është mbështetja e lëvizjeve sovraniste.
Me pak fjalë: Amerika heq dorë nga të qenit “polici i botës”, gjithë vëmendjen e çon te fqinjët dhe në Azi, ndërsa e kanë të qartë se disa do urrejnë këtë vendim, por mbetet më e fuqishmja në botë dhe s’kanë çfarë të bëjnë përveçse ta ndjekin kryeulur.

