Pёrkujtoj babёn

(Shkruan për historikun e shqiptarëve të Serbisë Jugore, të cilët mbetën atje pas krijimit të mbretërisë së Obrenoviçit nga Turqia (1848)). 

Tokat e Reçicës janë afër Lebanë – Leskovcit. Shumica e të ikurve (1878), që andej u vendos në Fushë – Kosovë, ndër ta edhe të parët tanë. Nga ato anë, është prof. Idriz Ajeti, (të cilin Ademi e ka pasë 13 vjet shok shkolle). 

Lebana, në Serbinë jugore

• 6 shkurt 1990

Tregon për një mësues të vet të fillores, me origjinë malazeze, Marko Vujadinoviç, “i cili u jepte mësim 85 fëmijëve të Gllavicës, Marevcit, Llukagjisë, Rubovcit e Babushit të Muhaxherëve. Ishte një njeri i thjeshtë, e mësoi vetë shqipen, u ndihmonte nxënësve, vishesh me kostum shqiptar, por u vra në luftë duke lënë 4 fëmijë në Ferizaj. 

Unë isha, vazhdon Ademi, për tre muaj nënprefekt i Ferizaj dhe e kam ndihmuar gruan dhe fëmijët e atij mësuesi. “

• 21 nëntor 1989

Në letër Ademi përmënd shokun e vet, kapitenin Rrustem Kpuska, nga Dibra. 

 

Me Rrustem Kpuskën, në Muenchen, verë 1998

 “Ai tash është tregtar. Këtij i kishte telefonuar Luan Gorishti.( Drejtor i Dhomës së Tregtisë, Tiranë) Rrustemi i ka gruan dhe djemtë në Shqipëri. Thotë se, sikur ndodhi me DDR, edhe mua do ma japin vizën dikur.“ 

U gëzua për lajmin që i dhashë, që Reiz Malile, ministri shqiptar i punëve të jashtëme, atëkohë, e ngriti çështjen e Kosovës në OKB. 

Është dakord që t’i shkruajë kujtimet e tij të luftës, por dron se “e vërteta është e idhët “. 

Tregon për sëmundjet që ka kaluar dikur, fruth dhe li, në vegjëli, ka kaluar edhe TBC, kur qe 13 vjeç në Shkup ka kaluar tifon e zorrëve, duke ndenjur 3 muaj në spital, as gjallë as vdekur. 16 vjeç në Shkup ka operue apendecitin, ndërsa 36 vjeç në Gjermani është operuar për rupturë; 45 vjeç në Australi ka heqë bajamet. Kur ishte 17 vjeç, në Shkup, ka operuar diafragmën e hundës ( e cila i shkaktonte dhimbje koke). Thotë se ruhet shumë nga bronshiti, prandaj shkon në Perth. 

• Letër e datës 08 dhjetor 1993

Tregim – Medreseja 1 

 “Vjeshta 1931, unë kishëm bë lutjen për t´u pranue në “Husref Begova Medresa “ në Sarajevë. Kalun tre muej e s´kisha përgjigje. Bëna ankim në nënprefekturën e Ferizajit, sekretari i nënprefektit i bëni nji telefon Sarajevës, mori përgjigje se ajo shkollë pranon vetëm boshnjakë. 

 

Hysef Begova Medrese, Sarajevë

Sekretari i nënprefektit më këshilloi që të shkoj në Shkup në Medresenë e Madhe të mbretit Aleksandër, ma pagujte edhe rrugën e kështu u paraqita te drejtori – Ahmet Mehmet Bashiq (nga Mostari). Ai më tha se kam ardh me vonesë me që shkolla ka fillue punën që 6 javë. I shpjegova arsyen. 

Ai formoi një komision ekzamenues prej katër vetash: drejtori – çështje fetare, prof. Olenjin – histori e gjeografi, prof. Bllagonadjezhdin – matematikë dhe Lapushina – serbokroatisht. Krejt mësimet i dhash me pesqe ( nota më e lartë) Drejtori më dha tesha të reja se unë isha i veshun me tesha katundare, e kështu fillova. 

 

Shkupi i vjetër

Mbas dy muejsh, u smuna – tifo barku – 3 muej në spital, as gjall as vdekun. Ma në fund, shpëtova dhe vitin e kreva krejt me pesa. U habitën profesorat se unë qindrova më shumë në spital se në shkollë. Në vitin e dytë u dogja. Unë me nji shoqe që është sot në Sarajevë, bëmë banjo, ajo më tha: shuke zjarrin ( me qymyr) mbasi të krej banjon, aty ishe nji kovë plot me ujë, mendova unë, por ajo ishte me petrolium. Isha krejt cullak e ja hudha zjarrit at kovën me petrol, u bë një eksplozion, unë u dogja që nga fyti deri në vedi – dmth u dogj lëkura e krejt gjoksit. U alarmue shkolla, nga eksplozioni, më morën në ambulancën e shkollës, erdhi drejtori, kur e pa se lëkura ishte djegë fare, çoi e solli dr. Samuello Amodaj – in, nji çifut. Ai i tha drejtorit në gjermanisht që mos ta marr vesh unë, është zor më shpëtue se është nji djegie e tërë epidermës. Drejtori i tha, ky është nxënësi ma i mirë që kemi, e përpiqu ta shpëtojsh.. Shërimi zgjati 3 muej, por shpëtova, edhe janë shënjat e djegies në gjoksin tim. 

 

Shkupi

Prap vitin e dytë e kalova krejt me pesa. Në vitin e tretë më mori zora e verbët, u operova dhe 6 javë nuk frekventova mësimet, më dhimbte gjithnjë kryet, gjysa e kresë. më mjekonte dr. Zdravkoviq, pa kurrëfarë suksesi. Shkova në spitalin e shtetit e u ankova. Nji mjek malazez, mbasi ja shpjegova simptomat, më tha eja se të shëronj unë. ( dr Sekuliq). Shkova, më bëni nji operacion mrena në hundë, e kështu u shërova. Viti i katërt ishte për t´u dhënë ekzami i semimaturës. Unë, me që i kisha të gjitha mësimet me 5, u lirova nga ekzami i semimaturës, e kështu shkova në lojrat olimpike në Sarajevë.. 

Në vitin e pestë ( 1935) më thirri drejtori dhe më tha: ti do të bëjsh tutorin jashtë shkollës natën nga ora 10 deri në ora 12. Janë dy gjykatës që kanë nga nji djal, të cilët donë nji tutor. Ata ty do të pagujnë nga 1000 dinarë në muej, dmth për dy djemt do të marrish 2000 dinarë në muej. Teufillo Markoviq ishte gjykatës i rrethit të Shkupit, kurse Vladisavleviq ishte gjykatës i apelit. Njanin djalë e mësojsha në fizikë e kimi, ndërsa tjetrin të gjitha landët. Unë vetë isha nji gradë ma i lartë se ata. 

Me që mora lejen me lëvizë, natën erdha në kontakt me kryekonsullatën shqiptare, e cila ishte vetëm 150 m larg shkollës tonë. 

Kështu u bëna spiun i papaguem, ata më afrojshin pare, unë nuk i merrsha se s´kisha nevojë (merrsha 2000 dinarë në muej). Rroga e nji profesori fillestar ishte 800 dinarë. Detyra e ime ishte me ardh në kontakt me oficera e nënoficera kosovarë në ushtrinë jugosllave, si edhe me deputetët kosovarë në Belgrad, si për shëmbull me Iljaz Agushin, Sherif Vocën, Mustafa Dërgutin, Ram Bllacën etj. 

 

Ram Bllaca

Si edhe me Hafiz Sherif Gafur Langun (dibran) – kryetar i Ulema Mexhlisit për Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Sanxhak. Po ashtu, me shpërnda libra shqip nëpër Kosovë dhe me bë çmos e me nalue emigrimin e kosovarëve në Turki. 

 

Sherif Langu ,1877-1956

E bëjsha nji listë të gjith atyne që dojshin me emigrue e ja epsha konsullit, ky me onën e konsullit turk i ndalonte se Turkija merrke gjoja ata që dinë turqishten, kurse asnji kosovar nuk e dinte at gjuhë. Deputetët kosovarë, si Sherif Voca,( Vrarë tradhëtisht më 13 prill 1941) që kishin guxim me folë në Parlamentin Jugosllav e me thonë se ne shqiptarët dum Jugosllavinë e nuk dum me shkue në Turki, i paguente Shqipnia. (Sherif Voca ka marrë vetëm për nji fjalim të shkurtë, 10 000 dinarë). Takimet i bëjsha natën, ma së shumti në vorezat franceze, në Shkupin e vjetër, ose shpesh herë në stacionin e ferovisë, ose në shtëpinë e Rexhep Stablevsky – t që ishte dragoman i konsullatës dhe banonte në rrugën Carica Milica 71, në Shkupin e vjetër. 

 

Shkup: Vorrezat franceze

Kryekonsull ishte Sermet Xhaxhuli, sekretar Çomora, tergjuman Rexhep Stableva, edhe nji shofer. Konsulli kishte nji djalë – Melin, ky bonte mësime me korespondencë në Tiranë, por mësimet matematike i merrte privatisht nga prof. Ivan Podgorni. 

Pra kët punë e kam bë pa u hetue 4 vjet rresht, po të kapesha do të më vrisnin. Hafiz Gafur Langu më thoshte, se në Dibër i thonë nji fjalë “ Hudhe gurin në livadh e hiqe dorën “. Kurr s´e harroj këshillën e tij. Po kët patriot e kanë dënue me 20 vjet burg. Unë mendojsha se e kanë vra, por Zejnullah Ballanca ( Jahja Fusha lindi më 27 dhjetor të vitit 1919 në Podujevë, Kosovë ishte i dërguar i krahinës së Llapit në Lidhjen e Dytë të Prizrenit.) më tha se ka vdekë në burg ashtu si dhe Qazim Bllaca. 

   

Qazim Bllaca (1915-2005)

Enveri, biro, si që po shoh, ka dënue patriota kosovarë e jo kriminela. 

Unë fitova respektin e besimin e konsullit (spiun i papaguem) e si rrjedhim, më 1938, më tha konsulli ta bëjë nji listë të maturantave kosovarë, që don me studjue në Jugosllavi, Francë, Itali, Gjermani, Austri e gjetkë e Shqipnia u paguen bursën të cilën ti do t´ja u shpërndajsh. Kështu, më 1938 u shpërndava bursën e Shqipnisë 12 vetave – 7 në Zagreb, 4 në Belgrad e 1 në Pragë. Nga këta bursista, ca janë hala gjallë në Kosovë, prandaj ti kët tregim maje vetëm për vedi, se njerzija mund të dëmtohen si për shëmbull Idriz Ajeti. 

Më 1939 isha në udhëtim e sipër Zagreb – Belgrad – Shkup, ku shkojsha me marrë bursën, kur Italija u fut në Shqipni. 

Gëzuar Motin e Ri.“ 

• Letër e datës 17 dhjetor 1993

Po e vazhdoj hiqajen në lidhje me Shkupin. 

Medreseja 2

 “Në Shkup ishte, 700 metra larg medreses, Uçiteljka shkolla – shkolla normale, që prodhonte mësues, pothuaj për gjithë Maqedoninë, Kosovën, Sanxhakun e Malin e Zi. Kishte 500 e kusur studenta – femna e mashkuj, të cilët ishin të ndam me gardh, megjithatë, do femna mbetën me barrë e u ba skandal. 

Studentat jetojshin në internat, ku pagujshin shumë pare për mbajtjen e tyne – dmth studjojshin vetëm djemt e pasanikëve. 99 % studentat ishin serbë, shumë pak maqedonas, ishin vetëm 3 shqiptarë: Sejfullah Myftiu nga Gjilani, – vëllau i tij ishte me ne në Medrese, Jahja Fusha , i biri i deputetit të Podujevës dhe ishte nji vajzë e bejlerve të Pejës. 

Sejfullahi e kjo vajza e Pejës u dashunun e u detyrun ta braktisin shkollën, u martun e ikën në Turki, ku e vazhdun shkollën, se që të dy e dijshin turqishten – deri sa dij unë, jonë hala gjallë. Në shkollë meti vetëm Jahja Fusha. 

6 muej para plasjes se luftës, unë, nga Zagrebi, i dërgova nji kartvizit Jahjas ku ia urojsha festat e Bajramit. Jahja ishte në lëvizjen tonë nacional – çlirimtare. Në kartvizit ishin të shtypun – Adem Selimoviq – kandidat inxhinier – Zagreb – Ferizoviq. Kalun tre muej, nuk mora përgjigje dhe harrova që i kam shkrue. 

Nji dit, më thirrë në zyrë ing. Gjalski – regjistrari i Fakultetit e më tha: 

 – Gospodine Selimoviq, – “ teshko onome ko govori i pishe albanski “ – kuku ai njeri që flet e shkruen shqip!. 

U habita fare e i thash, pse? 

 – Tha – ko ke në Shkup? 

I thash – kam dajët e shum shokë e miq, se aty e kam bë shkollën. 

 – E dij, tha, po ko ke në Uçiteljska Shkolla? Ti para 3 muejsh, tha, i ke dërgue me postë nji kartvizit Jahja Fushës dhe i ke shkrue në gjuhën shqipe. 

 – Thash po, ç´ka ka ndodhë? 

 – Drejtori i shkollës, Gjorgjeviq, e ka hapë letrën – Jahja nuk din gja se letrën nuk ja kanë dhanë, e drejtori i ka shkrujt naçalnikut – nënprefektit në Ferizaj – Ureshavac, që ti të arrestohesh se je antijugoslavije, me që ke shkrue shqip dhe ja ke ndërrue emnin qytetit Uroshevac në Ferizoviq – këtu shifet se ti anon për Shqipni. Komuna e Babushit e ka lajmërue nënprefektin se ti ndodhesh në Zagreb e kështu policija e Zagrebit po kërkon nga Fakulteti që të shpjegohesh, pse e ke bë një gja të tillë. Ti duhet të epish nji deklaratë neve mbi këtë çështje e na e lajmërojmë policinë. 

Masi e pa se unë isha në mendim e sipër, më tha, a ma len ti mua që unë të përgjigjem në emnin tënd e ti eja nesër, e, në se të pëlqen përgjigjeja, firmo, e ja dërgojmë policisë. 

 – Po, thash, me gjithë qejf. 

Ja se si u përgjigj inxhinier Gjalski: 

 – “ Piksëpari, drejtori i Uçitelska Shkola – Gjorgjeviçi, ka thye konstitucionin Jugosllav, i cili konstitucion garanton që posta duhet t´i dorzohet përkatësit, drejtori le që e ka hapë postën e huaj, gja që është një akt kriminal simbas konstitucionit jugosllav, por ky nuk ja ka dhanë të zotit fare – kështu Gjorgjeviçi duhet të jap shpjegime para gjyqit për kët punë. Aty ku thot drejtori se unë kam shkrue shqip, konstitucioni jugosllav lejon të shkruhen e të folen të gjitha gjuhët në territorin jugosllav, prandaj unë, s´kam ba asnji krim që kam shkrue shqip. Sa i përket ndërrimit të emnit të qytetit Uroshevac në Ferizoviq e që këtu shifet politika e ime se anoj për Shqipni, kët emën Ferizoviq ja kanë dhonë bullgarët, pra unë nuk jam bullgar, por shqiptar. “

E lexova, përgjigjeja më pëlqeu dhe e firmova. 

Ing. Gjalski, ahere më këshilloi që unë, për nji kohë, duhet të largohem nga Zagrebi, se tha, policija mund të kap në shtëpi ose në rrugë, e kështu unë përnjiher e lash Zagrebin, shkova në Hrvatsko Zagorje në katundin e lindjes së Titos – Kumrovec. Qindrova atje 6 javë, duke qënë gjithnjë në lidhje me Ing. Gjalskin. 

 

Hrvatsko Zagorje

Pëllciti lufta e u ktheva në Zagreb e vetë i shtati u nisum për Kosovë, masi komanda gjermane na i dha lejet që të shkojmë nëpër Belgrad – Shkup e Kosovë. Kur erdhëm në Kosovë, s´kishte as ushtri gjermane, as ushtri italjane. Ushtria italjane kishte ardhë deri në Prizeren e nuk kishte urdhën me ecë ma tutje, ushtria gjermane kishte ardh deri në Mitrovicë, e jo ma tutje – ishte nji marrveshje në mes politikës gjermane e italjane për sa i përket çështjes së okupimit të Kosovës. 

Administrata serbe nuk funksionojke me gjithë që nëpunësat serb qindrojshin në zyra, kështu qe nji paralizim i plotë në Kosovë. Ne, nji grup studentash, shkum në Mitrovicë te Xhaferr Deva – ky kishte lidhje me komandën gjermane në Nish e kështu, me dekret të komandës gjermane në Nish u emnum 7 nënprefekta, në Ferizaj unë, në Gjilan, Prishtinë, Vuçiternë, Gllaboder, Podujevë e Pejë. 

Në Ferizaj përnjiher mora në dorzim nga naçalniku serb zyrën e arkivës sekrete, ku e gjeta dosjen time në lidhje me paditjen që më bojke drejtori Gjorgjeviq: Aty ishte edhe përgjigjeja e ing. Gjalskit që e bëni në emnin tim si dhe shumë gjëra të tjera. Gjeta edhe nji dosje të shqiptarëve të rrethit të cilët ishin regjistrue si spiuna te naçalniku. Është shum interesant, po këta spiuna qenë të parët që erdhën me më urue detyrën e nënprefektit që mora. Kurr nuk ju kam thanë se ju vetë ishit spiuna, por i kam injorue, kur më vishin në zyrë. 

Mbas 3 muejsh unë me 84 studenta, murëm rrugën për në Itali – Perugia, ku qindruem 3 muej, mbasi u këthyemë na doli bursa e Shqipnisë dhe shkum të gjith në Zagreb, se universiteti i Belgradit u mbyll për pesë vjet. “

 

Ademi ne Perugia, i dyti poshtë nga e djathta

 

• Letër e datës … (nuk lexohet dot data)

Nënprefekt dhe martesa ime

Unë, kur e lashë Zagrebin, pasi plasi lufta, u ktheva në Kosovë me pa se çka po ndodhë atje. 

Mendova se Universiteti do të mbyllet, por universiteti kishte vazhdue veprimet si para lufte. U emnova nënprefekt në Ferizaj ku qindrova 3 muej, mbasandaj shkova në Itali për nji kurs të gjuhës italiane. Kur u ktheva nga Italia, vendosa me i vazhdue studimet, doli bursa dhe ne, një grup studentash, me vapor nga Durrësi – Dubrovnik arrijtëm në Split. Nga aty me tren në Zagreb. 

    

Ferizaj i vjetër

Gjatë largimit tim prej 6 muejsh, viti im kishte krye stërvitjet laboratorike e kështu mua m´u desh me pritë nji vit deri vitin tjetër me i bë stërvitjet e pomologjisë me studentat e vitit mbrapa meje. Për kët arsye, në vend që me laurue në frur 1942, unë laurova nji vit ma vonë, më 1943. 

U nisëm për Kosovë me tren nëpër Itali: Më që para kishim, qindruem në Venezia, Padova, Bologna e Romë 3 javë. Vaporin për Durrës e murëm në Brindisi. Lundrimi u bënte vetëm natën se nëndetset armike i fundosshin vaporët. Atë natë, në vapor, nji studente korçare që studjonte në Bologna, kur e mori vesh se jam nga Kosova, më pyeti: 

 – “Kjo Kosova, a është qytet i madh ? “ 

 – I thash, zojushë, Kosova është gjysma e Shqipnisë, ka 25 qytete! 

Ajo u habit e u turpnue. Kjo tregonte se çfarë edukate kombëtare kishte rinija e Shqipnisë. 

Erdhëm në Tiranë, ku ishin dy ministra kosovarë – Iljaz Agushi, ministër i Botores dhe Nexhip Basha – ministër i Agrar – Pyjores. Djali i Nexhip Bashës, Nexhdet Basha, lauroi me mue në inxhinierinë pyjore e kështu unë dhe Nexhdeti u emruem përnjiher në Pejë në degën përkatëse. 

 

Iljaz Agushi, ministër dhe zevëndëskryeministër 1941-1943, vrarë nga komunistët më 27 tetor 1943  

Iljaz Agushi donte që unë të jem në Prishtinë prandaj urdhnoi që unë të shkoj në Prishtinë e të pres emnimin e dytë për atë vend. 

Në Prishtinë ishin dy veta në inspektorinë agrare, Dr. Niko Qafzezi e Myzafer Kallajxhiu, unë i treti; 6 javë nuk punova, deri sa erdhi emnimi zyrtar, por rrogën e merrsha nga Peja.

“Kryeministtri Rexhep Mitrovica si dhe ministri i punëve të brëndëshme Xhaferr Deva e lëshuen Tiranën e erdhën në Prishtinë ku u përgatitshin me ikë së bashku me trupat gjermane për Gjermani. 

 

Rexhep Mitrovica me kolegët e qeverisë

Nji natë, Xhaferri bëni nji mbledhje ( afër 3000 veta) në shkollën normale ku i tha popullit se gjermanët po e lëshojnë Shqipninë e Kosovën e ne, që jemi përzi në politikë duhet të tërhiqemi së bashku në Gjermani. Unë u ngreha dhe i thashë: 

 – “ Zoti ministër, ne kemi vendosë me e mbrojtë Kosovën pa gjermanë, prandaj nuk do të ikum por do ta mbrojmë Kosovën! “ 

Në të nesërmen më erdhi nji delegacion nga Prishtina, në fermën shtetërore se aty banojshim e më thanë: 

 – “ Ty të kemi zgjedhun Kryetar të Rinisë për Mbrojtjen e Kosovës “. 

Unë u thashë: 

 – Ju api përgjigjen nesër. 

E thirri Veziren e i tregova se si është puna. I thashë se lufta është e humbun se ne nuk mundemi ta përballojmë ushtrinë bullgare e cila na sulmonte me tankse nga Podujeva, Gjilani e Shkupi. 

Aty u vendos fati ynë, po të thonte Vezirja, “jo, mos e merr këtë barrë mbi vedi! “, unë do të qindrojsha në shtëpi e sigurisht do të isha vra ma vonë se natyra ime nuk duronte padrejtësinë. Por Vezireja tha: “ çdokush duhet të lufton për mbrojtjen e Kosovës “ e kështu pranova e luftova e humba të gjitha ç´kisha: gruen, djalin, Kosovën Shtëpinë ma dogjën brigadat e Shefqet Peçi (ajo e Shaban Haxhisёnga Paci I Tropojёs), shyqyr Zotit shpëtova vetëm kryet. “

• Letër e datës 21 dhjetor 1993

Partizanët e Shqipërisë

 “Luftën e vazhduem edhe më 1945, me shpresë do të bëhet një skizëm ( ndarje) në mes Shqipnisë dhe Jugosllavisë. Fatkeqësisht, ushtrija e Shqipnisë vazhdojke me na luftue ma shumë se ajo e Jugosllavisë. Ali Mitrovica ( Shukrija) si komisar i Kosovës ( Ali Shukriu ka qenë figurë politike në Kosovë në periudhën kur kjo ishte një krahinë autonome e Jugosllavisë. (Ka qenë kryeministër i Kosovës 1963-1967 dhe president i saj 1981-1982), kërkoi që ne të malit të dërgojmë një delegatë në katundin Cërnillë e të shpjegohemi se ku është qëllimi i luftës sonë. 

    

Ali Shukriu                                            Hysen Tërpeza në Kosovë                                   

Në atë konferencë merrshin pjesë, përveç neve të malit ( Në këtë takim nuk ka marrë pjesë vetë Ademi, për arsye sigurie, por Hysen Tërpeza), edhe përfaqësitë e Qeverisë së Kosovës me në krye Ali Shukrinë si dhe një përfaqësi e ushtrisë së Shqipërisë e cila na lufton neve rreptësisht. Pyetjen që bëni Ali Shukrija pse luftojmë, ju përgjigjëm: 

 – ne luftojmë për bashkimin me Shqipërinë. 

Aliu: ne me Shqipninë jemi vllazën dhe kemi të njëjtin regjim qeveritar, Tito e Enver Hoxha janë të bashkuem dhe për popullin kosovar është njësoj Jugosllavi ose Shqipni. 

Ne: ne duem bashkimin me Shqipninë, duem të jemi të lidhur me Tiranën e jo me Belgradin, ne e duem Enverin e jo Titon! 

Ali: Ju nuk po luftojki komunizmin ?!

 – Jo, i thamë, ne jemi duke bë një luftë nacional – çlirimtare. 

Aliu: Ahere unë fjalën po ja epi kolonel Shefqet Peçit. – 

Ky, bir i botës, u ngreh në kamë dhe nxorri revolen e na u kërcënue: 

 – Këto ç´ka thoni ju jon pallavra, se Tirana është Belgrad e Belgradi asht Tiranë, ju dorzohuni qysh tani këtu. 

Për pak për të gri të gjithë në odë ( 30 njerz). 

 

Shefqet Peçi në krah të Enver Hoxhës

Aliu i tha kolonelit: 

 – Ne i dëgjuem fjalët e tyre e këta i dëgjuen fjalët tona, këta në besë kanë ardhë dhe në besë do të shkojnë. 

Mbas kësaj konference, neve na u bë e qartë se Shqipnia do të na lufton deri në fund, prandaj nuk do të jemi në gjëndje me i luftue dy shtete – Shqipninë dhe Jugosllavinë. 

Kështu vendosëm me marrë rrugën për në Greqi ku hala në Athinë u bënte luftë civile. 

Kemi ba një muej nga Podujeva në Ferizaj – Prizeren – Tetovë – Kërçovë e Resnje deri te kufini grek. 

 

Ademi ne Tirane, 1994

Në mes Ohrit e Resnjes kemi zonë rob tërë shtabin e një brigate të Shqipnisë që ishin me shumicë dibranë. 

Ne Greqi na mori në dorë Kryqi i Kuq Englez (në Florinë) nga aty vajtëm në Volos, pas Volosit në Athinë, nga ku shkuem ( dy mijë e kusur të ikun kosovarë e të Shqipnisë) në ishullin Syros.

  

Ishulli Syros

Nga refugjatët e Shqipnisë ishin Fiqiri Dine – ish kryeministër, kolonel Hysni Dema – ish komandant i xhandarmërisë shqiptare, kolonel Muharrem Bajraktari si dhe gjeneral Preng Previzi ( gjeneral Preng Previzin e mbante ushtria greke në një hotel në Athinë). 

 

Kol. Muharrem Bajraktari

Mbas Syros, u dërgum në ishullin Kretë ku u shpërndamë nëpër fshatra e qytete dhe pothuajse të gjithë zumë punë. 

Një bataljon (komunist) i ushtrisë greke dezertoi dhe filloi me i sulmue grupet shqiptare nëpër katunde. Një natë u sulmue në katundin Lerapetra një grup shqiptar me shumicë pejanë, ku u vranë 30 e kusur veta. 

   

Lerapetra, Kretë

Ne bam demarshe në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar në Gjenevë dhe, më në fund, qeverija dërgoi vapore në Iraklion e na mblodhi të gjithëve e na solli në kampin e përqëndrimit në Lavrion, afër Athinës. 

 

Lavrion, Athinë

Më 1948 IRO ( Organizata ndërkombëtare e refugjatëve) i regjistroi të gjithë shqiptarët dhe i transportoi në Itali; neve, si intelekualë ose oficerë e me nëpunësi të naltë në Shqipni na ndali qeverija greke, na la të lirë dhe na e preu një rrogë mujore prej gjysëm milion dhrahmish. 

Ne nuk dojshim të jetojmë si parazitë, prandaj gjetëm punë, unë e Luan Gashi zumë punë në një garazh amerikan – Luani sekretar e unë magazinier ( apothekarios), kurse prof. Ibrahim Kelmendi e Jup Binaku bojaxhinj në shërbimin amerikan.

     

 Ibrahim Kelmendi, nga Presheva,         Luan Gashi nga Tirana- Prishtina 

Komiteti “Shqipnija e Lirë “ krijoi një kompani shqiptare, Kjo kompani u vendos në Gjermani, në Wachterhof. Qëllimi ishte me i stërvit shqiptarët e me i dërgue kohë pas kohe në Shqipni. Unë e prof. Kelmendi u revoltuem dhe kërkuem që në asnjë mënyrë kosovarët nuk duhet të shkojnë në Shqipni. 

 

Wachterhof

Kompania nën kryesinë e shqiptaro – amerikanit kapiten Mangeli, (apo Vangjeli – shënimi im B. S.) ishte e përbamë prej ushtarëve të tri partive – balliste, zogiste dhe agrare ( Seit Kryeziu). Mbasi muerëm vesh se një kosovar – ballist po dërgohet në Shqipni, unë u shkrujta një letër ballistave kosovarë që të mos shkojnë dhe kështu u bë një revoltë në kompani. 

 

Seid Kryeziu dhe luftëtarë nacionalistë, vëllezërit e tij Hasan e Gani si dhe Llazar Fundo

Një ditë, më 1950, më erdhi një amerikan – shofer në magazinë, dhe më tha se unë duhet të shkoj përnjëher me u takue me Ihsan Toptanin. I thash se unë jam në punë e pa lejen e drejtorit ( një englez) nuk shkoj dot. Ai më tha se unë jam shefi yt e ti mos pyet askënd por shko te Ihsan Toptani. 

 

Shkova, u takova, një burrë i pashëm e i kënaqshëm, më tha: juve ju ka thirrë Komiteti “Shqipnija e Lirë “ dhe sonte, ti dhe prof. Kelmendi do të niseni për në Gjermani. – 

Unë i thash, ne nuk kemi lidhje me atë Komitet – ne jemi kosovarë e nuk dom të përzihemi në punë spiunazhe të Shqipnisë. Ai u habit për këtë qindres time, por më dha një këshillë që kurrë s´ja harroj: 

 – E vetmja rrugë për ju, tha, për të dalë nga Greqija është kjo, kur të dilni në Gjermani, atëhere thuji këto fjalë që m´i the mue. 

E pranova, shkova, i thashë profesorit, mbas pak kohe erdhi po ai shoferi amerikan që më dërgojë te Toptani e na solli në aerodrom. Në të nesërmen u veshëm me uniforma ushtarake e filluem shërbimin. Kur u pa që ne prap se prap po i këshillojmë kosovarët që të mos shkojnë në Shqipni, na tha kapiten Mangeli, ne nuk mund të rrimë më në kompani – ikum e shkum në kampo gjermane. 

Kur shkum me u regjistrue për në Amerikë, na thanë se ne në Amerikë nuk pranohemi, se ne jemi kundra politikës amerikane, e kështu vendosum për në Australi. 

Deri në Napoli erdhëm me tren nëpër Austri, nga aty i hypum një vapori të vjetër norvegjez – “Skaubryn “ i cili me shumë prishje gjatë lundrimit, ma në fund, pas pesë javësh na solli në Melbourne, nga ku na dërgun në një kampo përqëndrimi, Bonegilla (350 km larg Melbourne) ku ishin 25 000 emigrantë të papunë. “

Një në 20 australianë kanë pasë lidhje me Bonegillën

Shkëputur nga libri “Adem Selimi (Gllavica) tregon”

Përgatiti për botim Bardhyl Selimi (Gllavica)

By Editor