Deputeti Agron Shehaj deklaroi se në Shqipëri po ndodh për herë të parë që figura të larta politike po përballen realisht me drejtësinë. I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, kreu i Partisë Mundësia tha se ish-kryeministra, ish-presidentë, kryetarë bashkish dhe zyrtarë të lartë janë sot nën hetim, të pandehur apo pas hekurave, çka sipas tij përbën një ndryshim rrënjësor në funksionimin e drejtësisë.
Shehaj u shpreh se asnjë aferë korruptive e madhe nuk mund të ndodhë pa dijeninë e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se kjo është arsyeja pse, sipas tij, kreu i qeverisë dhe deputetët socialistë janë të shqetësuar. Ai shtoi se drejtësia nuk do të ndalet vetëm te zv/kryeministrja Belinda Balluku, por mund të shkojë edhe më lart.
Sipas Shehajt, pavarësisht kritikave që mund të ketë ndaj SPAK-ut, faktet tregojnë se në 35 vitet e fundit nuk ka pasur kurrë një situatë të tillë, ku zyrtarë kaq të lartë të përballen me hetime dhe akuza për korrupsion. Ai theksoi se pritshmëritë e qytetarëve janë që drejtësia të arrijë te “peshqit e mëdhenj”, përfshirë Ramën, Veliajn dhe Ballukun.
Në fund, Shehaj u shpreh se fati individual i një zyrtari nuk ka rëndësi krahasuar me interesin e vendit, duke shtuar se ajo që ka më shumë peshë është funksionimi i drejtësisë dhe trajtimi i barabartë i rasteve të korrupsionit, pa standarde të dyfishta.

