Agron Shehaj, kryetari i partisë “Mundësia”, akuzoi sot maxhorancën dhe opozitën se janë bashkuar për t’i eliminuar nga terreni politik partitë e reja, duke denoncuar formimin e komisionit për reformën zgjedhore pa përfshirjen e tyre.
Shehaj tha se qëllimi i këtij komisioni është i qartë dhe i dëmshëm për pluralizmin politik. “Komisioni për reformën zgjedhore ka një qëllim të vetëm: të vrasë partitë e reja. Të vrasë alternativat në këtë vend. Të vrasë demokracinë. Unë nuk e kuptoj se si maxhoranca dhe opozita bëhen bashkë. Dhe papritur ngrenë një komision pa përfshirë partitë e reja. Keni vetëm një qëllim: pasi keni vjedhur së bashku, do vijoni të vidhni. Dhe ky do të jetë rezultati i këtij komisioni të turpshëm. Vijoni, bini dakord për të vjedhur bashkë,” deklaroi ai.
Nga radhët e “Mundësia” u kërkua që procesi i reformës zgjedhore të jetë i hapur, përfshirës dhe i drejtë, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike, përfshirë subjektet e reja që, sipas Shehajt, përfaqësojnë alternativa reale për qytetarët.
Komentet e Shehajt vijnë në një moment kur diskutimet për ndryshimet në sistemin zgjedhor kanë shkaktuar polemika të forta mes partive të mëdha dhe aktorëve të rinj politikë. Përgjigje zyrtare nga maxhoranca dhe opozita mbi akuzat e kryetarit të “Mundësia” nuk është raportuar ende.

