Segmenti rrugor Shëngjin–Velipojë, në afërsi të fshatit Rrjoll, ka pësuar dëmtime serioze si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Trasa e rrugës është çarë në një gjatësi të konsiderueshme, duke rrezikuar shembjen e plotë të saj.
Për shkak të rrezikshmërisë për drejtuesit e mjeteve, një krah i lëvizjes është bllokuar në zonën problematike, ndërsa qarkullimi po zhvillohet me kujdes të shtuar.
Kompania që ka ndërtuar segmentin ka vendosur barriera betoni dhe sinjalistikë në një gjatësi rreth 50 metrash, në zonën ku ka ndodhur shembja.
Ky është rasti i radhës i dëmtimit të një rruge të re, që ngre pikëpyetje për standardet e ndërtimit dhe mbikëqyrjen e punimeve publike.

