Nga Ermal Mulosmani
Dalngadalë po futemi në mandatin e katërt të Edi Ramës. Jo vetëm kaq, kjo nuk do ishte ndonjë gjëmë e madhe. E kanë provuar edhe vende shumë më të mëdha sesa ne, Gjermania, Rusia, Turqia, Hungaria. Problemi më i madh është se po vjen duke e thelluar epërsinë e tij, çdo vit e më shumë. Sa më shumë i zbardhet mjekra dhe shtohen rrudhat në fytyrë nga krusma e hajdutëve qeveritarë që bien në çarkun e SPAK-ut, aq më shumë shtohet etja popullore për nënshtrim.
Nuk ka sesi të mos më kujtohen fjalët profetike të Edi Ramës së dikurshëm kur e përbuzte bash këtë etje për nënshtrim të popullit si katalizatorin e çdo sundimi:
“Si Pozita, ashtu edhe Opozita në Shqipëri, janë dy struktura të ngritura në shpatullat e gjera të arketipit të Njeriut të Ri, këtij modeli të krijuar nga propaganda e shfrenuar komuniste, e cila u mbështet fuqimisht tek dobësitë e karakterit të shqiptarit dhe tek burimet e pashtershme të traditës së tij që ushqen Barbarinë, Totalitarizmin, Autoritarizmin apo thënë me një fjalë të vetme, Nënshtrimin ndaj Babës, duke frymëzuar kësisoj një servilizëm të përmasave të mëdha që nuk kufizohet vetëm brenda mureve të klanit familjar, por që kthehet në Apoteozë të Nënshtrimit kur është fjala për t’iu bindur të gjitha atyre forcave udhëheqëse autoktone apo të huaja…”
Edi Rama, Gazeta Koha Jonë, Janar 1997
Pra, vini re. Ne si popull -thotë Rama i atyre kohëve (viti 97)- kemi si traditë Nënshtrimin ndaj Babës. E ky servilizëm, ky “Nënshtrim ndaj Babës” vjen e kthehet në Apoteozë të Nënshtrimit (glorifikim i nënshtrimit, thirrje e brendshme e gjithë qenies për Nënshtrim) kur vjen puna te udhëheqësit politikë.
Sa herë e kam parë Edi Ramën të ngërdheshet a zgërdhihet nga përçmimi a arroganca për kundërshtarë politikë, kolegë politikanë, gazetarë, prokurorë, gjykatës, militantë socialistë a demokratë, të huaj a vendas; sa herë kam dëgjuar batutat e tij shpotitëse e të paskrupullta, më ka ardhur në mendje ky shkrim i tij. Ai në kokë ka bindjen se prirja natyrore e karakterit të shqiptarit është Nënshtrimi ndaj Babës. Sa më shumë t’i dhunojë, përtallë, përçmojë, vjedhë, syrgjynosë aq më shumë do të shtohet Zelli pervers për Nënshtrim, gëzimi mazokist, lumturia për një Babë kaq të zotin sa na e ka zili gjithë bota.
Tellalët mediatikë janë të parët të nënshtruar. Të nënshtruar të lumtur. Më i miri ndër ta është Bato. Ky mendon vërtetë se Rama është Misionar, që është i vetmi që mund ta ankorojë Shipërinë në Portin e Madh të Evropës me Dinjitet dhe Shije. I han trupi të shkretit nga bindja se shqiptarët nuk po e kuptojnë shijen e Ramës. Ata janë ca inorantë që FATI në një çast të caktuar të kohës u solli Messinë në mesin e tyre. Jo vetëm kaq, u dha edhe dritën ta shihnin këtë Jezus edhe mençurinë ta votojnë. Tani mbetet që ky mision të realizohet deri në fund me Dinjitet.
Bato sheh në mes kundërshtarëve të këtij Jezusi vetëm farisej e mashtrues, hajdutë të paskrupuj e megallomanë anadollakë që ia gërryen trupin dhe ia turpëruan derën Nënës Shqipëri. Nuk resht i shkreti, televizion në televizion të mbrojë Jezusin e vet me përkushtim e bindjen se po i bën një shërbim të ardhmes se Nënës.
Përveç Batos që e bën me dashuri e bindje shërbimin, të tjerët janë më dinakë. Ata janë përfitues indirektë llokmash, koncesionesh, tenderash, favoresh klienteliste. Këta janë në garë për Nënshtrim, Servilosje dhe Lëpirje por me pak kushte. Sa herë kocka që u jepet nuk u kënaq orekset fillojnë e lehin, mjaullijnë, ngrejnë zërin. Dhe Baba u lëshon kocka duke i tallur, a thua se tallja do ju bëjë përshtypje. Ata kënaqen po aq nga Kocka sa edhe nga Tallja. Fundja Nënshtrimi ndaj Babës është një tipar i karakterit të tyre.
Opinioni publik fillon e fokusohet te Antiopozitarizmi. Është një situatë e përsëritur në fakt. Më poshtë po citoj një autoritet të rëndësishëm të Antiopozitarizmit të sotëm, gazetarin Mero Baze:
“ANTIOPOZITARIZMI në një shoqëri të re postkomuniste është vdekje klinike e pluralizmit dhe, kur identifikohet me shtetin, është diktaturë me kostum pluralizmi ose pluralizëm me leje.”
Përveç partive antiopozitare dhe shtypit antiopozitar qeveria po mban rreth vetes dhe një eskortë intelektualësh antiopozitarë. Nuk doja të citoja për keq asnjë prej tyre, por është e rëndë t`i thuash një shoqërie, më mirë të vidhen votat sesa të fitojë opozita.
Hidhini një sy biografisë së tyre. Është një histori e tëra antiopozitare dhe jo një histori intelektualësh që kritikojnë qeveri dhe regjime.”
Mero Baze, “Përballja me Antopozitarizmin”.
Sendërtimi i një klime të tillë antiopozitarizmi synon të dekurajojë çdo fluks opozitar, ta shkretojë moralisht e fizikisht Ngrehinën Opozitare nga çdo autoritet publik duke riaktivizuar aksiomën: “Më mirë të vidhen votat sesa të fitjë Opozita”.
Duhet thënë që këtë strategji efikase propagande e ka ndihmuar edhe Opozita vetë. Ajo sot është kthyer në një Studio e Stërmadhe Avokatie e interesave të Kryetarit të saj të Përjetshëm. Askush i dyshimtë nuk mund të futet aty, kërkohen vepra publike devocioni e besnikërie. Syçelësia se mos dikush i dyshimtë, që ka mendime personale apo larg qoftë ndonjë mendim kritik, ka hyrë në ndërtesën Opozitare, është ku e ku më i fortë se në Kupolën tjetër.
Kërkohet konformizëm total, Nënshtrim ndaj Babës tjetër, paçka se ky Baba as që ka ndërmend të vijë ndonjëherë në pushtet. Përkrahësit e tij, të trashë, hajdutë e batakçinj janë Roje te dera e Ndërtesës me detektorë mendimi si teste për hyrje.
Janë kthyer tashmë si levat e komunizmit, një lloj Organizate partnere e Partisë së Udhëheqësit. Ky është degradimi total i Politikës, shkretimi në një ambient konformist e pa mendim ku Udhëheqësi është Partia.
Në një situatë të tillë dëshpëruese, i vetmi mendim që më ka mbetur është të konformohem edhe unë. Siç thotë Dino Buxati:
“Konformizmi është paqja e atij që ndihet në harmoni me masën që e rrethon. Ose është shqetësimi, halli, parehatia, sikleti, turbullimi i atij që largohet nga norma.
Është një forcë e tmerrshme më e fuqishme se ajo e bombës atomike. Natyrisht, nuk është kudo njëlloj. Ekziston një gjeografi e konformizmit. Në vendet e prapambetura është ende në shpërgenj, në embrion, ose shprehet në mënyrë të çrregullt, sipas tekave të saj, pa udhëzime e direktiva. Moda është për këtë një shembull tipik. Kurse në vendet moderne kjo forcë është shtrirë tashmë në të gjitha fushat e jetës, është fuqizuar plotësisht, rri pezull, mund të thuhet, në vetë atmosferën: dhe është në duart e pushtetit.”
Dino Buzzati, Fjala e Ndaluar.
Po, më vjen natyrshëm të konformohem edhe si tregues i modernizmit, ecjes përpara.
Kur erdhi Edi Rama në pushtet isha rreth 43 vjeç, sot po bëj 55, me gjasë në fund të mandatit të Tij do kem dalë në pension. Gjatë këtyre 12 vjetëve që kaluan isha një zë opozitar, kritik i Kryeministrit. Arsyeja kryesore ka pasur të bëjë me trashëgiminë komuniste të Partisë së tij. Së dyti me arrogancën kryeministrore. Nuk e pranoja kurrsesi që “Kryeshërbëtori”, siç i pëlqen Kryeminsitrit ta quajë veten, në çdo fjalim a dalje publike t’i vërsulej me arrogancë “zotërinjve të tij”. Qofshin këta përkrahës a kundërshtarë, opozitarë a gazetarë, biznesmenë apo vartës, sindroma e manisë së poshëtrimit publik, më ka bërë kundërshtar me të. Si duket nuk e kam pasur të zhviluar sa duhet atë genin shqiptar të Nënshtrimit ndaj babës.
Por tashmë jam bërë i ndërgjegjshëm. Një thirrje e brendshme për Nënshtrim më buis nga çdo por i trupit. Nuk i rezistoj dot. Nga sot nuk do të shkruaj më kundër Kryeminsitrit e as Doktorit. Do shkruaj kujtime. Edhe një shok më tha: Nuk të lexoj fare kur shkruan për politikë, vdes kur sjell copëza jete nga e shkuara.
Por edhe aty futem në një terren të një Babe tjetër…