Shfaqja e filmit “Lejleku” me regji të Isa Qosjes, e planifikuar në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit debutues “Xhada” në Podgoricë, u ndërpre më 3 shtator gjatë prezantimit në ambient të hapur. Organizatorët bënë të ditur se ndërprerja ndodhi pas reagimeve të zëshme të një grupi personash të paidentifikuar, të cilët kundërshtuan faktin që filmi ishte në gjuhën shqipe.

Sipas tyre, u krijua një “situatë e pakëndshme” që e detyroi stafin e festivalit të ndalonte shfaqjen, ndërsa në vendngjarje ndërhyri policia. Hetimet janë duke vazhduar, por deri më tani nuk janë dhënë rezultate zyrtare.

Organizatat joqeveritare reaguan ashpër ndaj incidentit, duke e quajtur atë një sulm ndaj lirisë së shprehjes artistike dhe një shembull të intolerancës etnike e gjuhësore. “Është e papranueshme që një film të ndalohet vetëm pse është në shqip, në një shtet ku kjo gjuhë njihet si zyrtare”, theksuan ato, duke kërkuar nga autoritetet të identifikojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit.

OJQ-të i kërkuan gjithashtu partive në pushtet të distancohen nga retorika nacionaliste dhe të ndërmarrin hapa për mbrojtjen e harmonisë multietnike në Mal të Zi.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, i cili kishte mbështetur financiarisht festivalin, shprehu shqetësim për rastin. “Liria e shprehjes artistike është një vlerë themelore demokratike dhe duhet të garantohet”, thuhet në reagimin e tij në rrjetin X.

Festivali i filmit “Xhada”, i cili organizohet prej një dekade në Podgoricë, sjell çdo vit filma debutues nga vende të ndryshme dhe shfaqjet zhvillohen kryesisht në ambiente të hapura.

“Lejleku”, që pati premierën në PriFest në Prishtinë në shtator 2024, trajton historinë e tri brezave të grave shqiptare në fshatin e braktisur Vuthaj, pranë kufirit shqiptaro-malazez, duke u ndalur tek fenomeni i emigracionit. Filmi është prodhim i përbashkët i disa shtëpive filmike nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, dhe është mbështetur nga fondi evropian Eurimages me 80 mijë euro.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *