Shiu i dy ditëve të fundit ka shpëtuar Shqipërinë nga vatrat e shumta të zjarreve në disa zona të vendit.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi së fundmi se aktualisht është aktive vetëm një vatër zjarri në Spatharë të Skraparit, ndërsa edhe sot parashikohen reshje shiu, megjithëse jo me intensitetin e ditëve të kaluara.
Përhapja e zjarreve gjatë ditëve të fundit ka djegur qindra hektarë tokë në disa zona të vendit.
Njoftimi i plotë:
Situata nga zjarret në rang vendi
Gjatë 24 orëve të fundit, për shkak edhe të reshjeve të shiut në pothuajse të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, janë shuar të gjitha vatrat e zjarrit. Mbetet aktive vetëm një vatër në fshatin Spatharë, njësia administrative Vëndreshë, bashkia Skrapar.
Zjarre të shuara janë raportuar në:
Fshatin Plan i Bardhë dhe malin e Allushit, bashkia Klos. Si pasojë u dogjën rreth 120 ha dhe u përshkuan rreth 350 ha me shkurre, pisha dhe lisa. Fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Si pasojë u dogjën rreth 20 ha dhe u përshkuan rreth 499 ha me shkurre, pisha dhe ah. Fshatin Gur i Bardhë, njësia administrative Xibër, bashkia Klos. Fshatin Gurë-Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër. Si pasojë u dogjën rreth 55 ha dhe u përshkuan rreth 580 ha me shkurre, pisha dhe ah. Qafa e Buallit, njësia administrative Bulqizë. Pavarësisht punës së forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri me helikopter, u dogjën rreth 22 ha dhe u përshkuan rreth 35 ha me shkurre, pisha dhe kullota.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë, si dhe reshje të lokalizuara të dobëta në qarqet e tjera.
Sa i përket rrezikut nga zjarret, parashikohet:
Niveli “I LARTË” i rrezikut në qarkun Fier. Niveli “I MODERUAR” në qarqet Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Niveli “I ULËT” në qarqet Lezhë, Durrës dhe Tiranë.
Të gjitha strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo rast nevoje.
Thirrje për qytetarët:
Ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe bashkëpunues:
Të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë. Të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë. Të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së flakëve.
Siguria është përgjegjësi e përbashkët!