Të paktën gjashtë agjentë të Byrosë Federale të Hetimit janë larguar nga detyra për shkak të përfshirjes së tyre në hetimin e vitit 2022 që lidhej me dokumentet e klasifikuara të ish-presidentit amerikan Donald Trump, raportojnë mediat në Shtetet e Bashkuara.
Hetimi kishte të bënte me dokumentet sekrete që Trump dyshohej se kishte mbajtur në rezidencën e tij në Mar-a-Lago pas përfundimit të mandatit presidencial, në vend që t’i dorëzonte në Arkivin Kombëtar sipas kërkesave ligjore. Në kuadër të këtij hetimi, agjentët e Federal Bureau of Investigationkryen edhe një kontroll në pronën e tij në Florida gjatë vitit 2022.
Sipas raportimeve, drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili konsiderohet mbështetës i Trump, ka kërkuar shkarkimin e agjentëve të përfshirë në çështje. Shoqata e Agjentëve të FBI-së konfirmoi largimet nga puna, por pa dhënë një numër të saktë, ndërsa kritikoi vendimin duke theksuar se u është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor.
Shoqata paralajmëroi se masa të tilla mund të dobësojnë institucionin, duke e privuar nga ekspertiza profesionale dhe duke ndikuar negativisht në besimin ndaj drejtimit të agjencisë.
Sipas prokurorëve, dokumentet e sekuestruara përmbanin informacione të ndjeshme nga agjenci si Pentagoni dhe CIA, të lidhura me mbrojtjen dhe programet bërthamore të SHBA-së. Procedimi penal ndaj Trump u anulua në korrik 2024 nga gjyqtarja federale Eileen Cannon, e cila e konsideroi të pavlefshëm emërimin e prokurorit special Jack Smith.
Vendimi u apelua nga Departamenti i Drejtësisë, por çështja u mbyll pas rizgjedhjes së Trump në vitin 2024. Ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje dhe ka kritikuar hetimet e FBI-së, përfshirë edhe ato që lidhen me ngjarjet e 6 janarit 2021.

