Analisti dhe publicisti i njohur, Shkëlzen Gashi deklaroi se qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në favor të Serbisë mund të jenë pasojë e kapjes së tij nga interesa ende të panjohura për publikun.
Gjatë një interviste me gazetarin, Rron Gjinovci, Gashi tha se pas shumë vitesh kur arkivat të jenë hapur edhe dokumentet të bëhen publike, mund të mësojmë se Edi Rama ka qenë i shantazhuar ose i kapur nga interesa të cilat e kanë shtyrë që të mbajë qëndrime të hapura në favor të Serbisë kundër Kosovës
Shkelzen Gashi shtoi se ai nuk e kupton qëndrimin e Edi Ramës në favor të Serbisë kur deklaroi se ajo po merrte armatim rus dhe kinez për të mbrojtur veten.
Ish-këshilltari i Albin Kurtit e konsideroi të dënueshëm këtë qëndrim pasiqë as Bosnja, as Mali i Zi as Kroacia dhe as Kosova nuk kanë synime apo potencial për të sulmuar Serbinë, por Serbia po forcont ushtrinë e saj në pritje që rrethanat ndërkombëtare t’i mundësojnë një tjetër fushatë ushtarake për zgjerim territoresh.
Gashi kritikoi dhe “Ballkanin e Hapur” duke kujtuar se nëse Kosova do të përfitonte realisht nga ky projekt, Serbia nuk do e ftonte të ishte pjesë e tij. Sipas tij, përkrahja që Edi Rama i ka dhënë këtij projekti ka qenë një akt kundër Kosovës, pasi Serbia angazhohet hapur për çnjohjet e shtetit të Kosovës, bën gjithçka për të penguar anëtarësim e saj në organizmat ndërkombëtare, por nuk e ka problem pjesëmarrjen e Kosovës në “Ballkanin e Hapur”, proces të cilin e drejton ajo vetë dhe prej të cilit përfituesja më e madhe është po vetë Serbia.