Nga Ledi Shamku Shkreli
Dje në Universitetin e Shkodrës, Institucion Publik i Dijes dhe Shkencës (albanologët e të cilit i njoh mirë e i vlerësoj) pllakosi Skënder Gjinushi. Them “pllakosi”, pasi ftesës për të kumtuar shkencë, Gjinushizma iu gjegj jo me shkencë, por me pllakata. Pllakata të vjetra sovjete në stil dacibao kinez. Dacibao don të thotë “fletërrufe”, dhe këto dacibao u përdorën fort kundër shkencës në kohën e Revolucionit Kinez, si në Kinë ashtu edhe në Shqipërinë e kohës që shenjoi pa shpëtim Gjinushin.
Ai shkoi dje në Shkodër të varte nja tri dacibao kundër disa personaliteteve, e njërën syresh e vari për mua, duke më quajtur: injorante dhe individ që nuk përfaqëson asgjë në institucionet shkencore
Po e le mënjanë epitetin e parë pasi me plagjuesin e Zinzo Caruanas së paqenë nuk debatoj fare për injorancë), dhe po diskutoj sesi u vetëpadit ai me këtë “përfaqësimin”.
Unë jam gjuhëtare siç shumëkush e di, dhe punoj në Akademinë e Studimeve Albanologjike – Institucion i Arsimit të Lartë me fokus kërkimin shkencor për Gjuhën, Kulturën dhe Shoqërinë Shqiptare.
Si punonjëse e Shkencës së Albanologjisë besoj fort se Shkenca nuk themelohet mbi përfaqësime!!!
Shkenca rritet falë kontributeve vetjake kërkimore të secilit nga ne, edhe timit. Shkenca nuk njeh Organe Përfaqësuese, por vetëm debat, diskutime mes kolegësh, dyshime, lexime, studime dhe sërish diskutime. Askush nga unë a kolegët e mi nuk ka marrë me vete në tryeza shkencore ndonjë kolltuk pozite, e as nuk është shqyer për kolltuqe!
Politika po, ajo ka përfaqësim: Kryetari përfaqëson, Deputeti përfaqëson, Drejtuesit politikë përfaqësojnë.
Ç’na tregoi dje Gjinushi me këtë dacibao? Së pari që ai as nuk e di fare po fare se ç’është natyra e shkencës, ç’janë individualitet (për fat të lira) shkencore. Dhe së dyti që sa herë flet për Strukturën Shkencore, ka në mend e si model veç Strukturën Politike, madje STRUKTURËN MË TË KEQE POLITIKE, atë të kohës që rriti e që ai po e kullot ende, Kohën Totalitare kur individët e Shkencës bënin karrierë po qe se bëheshin Përfaqësues të Pushtetit Totalitar. Atëherë po, atëherë “përfaqësonin” shkencën e partishme! “Cilën shkencë përfaqëson ti, shok?!” – pyeste asokohe modeli i Gjinushit.
Ndaj edhe në mendjen e tij një punonjës i shkencës, që thotë mendimin dhe vlerësimin e tij të lirë, sot nuk përfaqëson!!! Ndaj edhe modeli që ai ka ndërtuar sot në Akademizmën e Shkencizmës është për faqe të zezë model vetëm politik, madje i një politike shtypjeje banale, ku Përfaqësuesi, pra Ay, i jep vetes tagrin të flasë, pra t’i përfaqësojë, për gjithçka: flet për nanoshkencën, po flet edhe për Luftën në Skrapar, po flet edhe për Bujqësinë, po flet edhe për Fizikën Bërthamore, po flet madje edhe për Albanologjinë e këput turpe si Zinzo Caruana. Përfaqësuesi i Shkencës së Partishme, Skënder Gjinushi i ka dhënë vetes (politikisht e jo shkencërisht) të përfaqësojë Mendimin Shkencor të Akademizmës, shkurt t’i përcaktojë asaj Vijën!
Dje në fjalimin e tij ai tha se ne veç shanim e shpifnim pa thënë asgjë. Ose siç thonin shokët e kohës së tij sovjete për shkencën perëndimore, “shkencë që leh”.
Pra, nëse do t’i vija një titull pllakatit të tij të djeshëm, duke përdorur vetë gjuhën gjinushiste, pllakata e tij do të quhej: “Shkenca le të lehë, Caruana ecën para”.
Dhe kjo pllakatë është botimi i parë shkencor i tij. Verbal edhe ky sigurisht, se të shkruar s’ka gjë ende. Ah po, se i rashë më qafë: e ka një vepër të botuar me shkrim: Përmbledhjen e tij të fjalimeve parlamentare, vepra e parë “shkencore” që botoi me fonde publike Akademizma e Shkencizmës sapo u bë AY Kryetar i saj.