Me moshën, sistemi imunitar dobësohet gradualisht, pasi numri i qelizave T zvogëlohet dhe reagimi ndaj infeksioneve ngadalësohet, duke rritur rrezikun nga sëmundjet.
Sipas studimeve të fundit nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) dhe Broad Institute, shkencëtarët kanë gjetur një mënyrë për të përforcuar përkohësisht funksionin imunitar.
Ata riprogramuan qelizat e mëlçisë për të stimuluar zhvillimin e qelizave T, duke kompensuar dobësimin e timusit, organi kyç për prodhimin e këtyre qelizave.
Përdorimi i mRNA për tre faktorë të rëndësishëm rezultoi në rritjen e numrit dhe larmisë së qelizave T tek minjtë e moshuar. Pas trajtimit, minjtë reaguan më mirë ndaj vaksinave dhe imunoterapisë kundër kancerit.
Profesor Feng Zhang nga MIT theksoi se, nëse kjo qasje mund të aplikohet te njerëzit, mund të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit dhe të reduktojë sëmundshmërinë gjatë plakjes. Studimi, me autor kryesor Mirco Friedrich, është botuar në revistën prestigjioze “Nature”.

