Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka ngritur zërin kundër drejtorit të Policisë Vendore, Gentian Berberi, pas një aksioni që përfshiu heqjen e një tabele me mbishkrim profetik nga oborri i Xhamisë “Ebu Bekr”.
Tabela, e cila përmbante një mesazh mbi drejtësinë dhe ndëshkimin hyjnor, u largua mbrëmjen e 9 nëntorit, nën drejtimin e Berberit dhe efektivëve të tij, duke nxitur një debat të gjerë publik.
Gjatë një aktiviteti përkujtimor për Haxhi Fejzi Zaganjorin, Imam Sytari nuk nguroi të shprehte kundërshtimin e tij me tone të forta ndaj Berberit, duke e cilësuar si “një rrugaç me pushtet”. Sipas myftiut, ky veprim përbën një përpjekje për të heshtur të vërtetën që përcillte tabela, e vendosur pranë një ndërtese 35-katëshe që po ngrihet afër ish-hotelit “Turizmi”.
Situata e tensionuar kulmoi me një takim mes myftiut dhe kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ku palët diskutuan mënyrat për të zbutur tensionet dhe për të vijuar bashkëpunimin institucional.
Ndërkohë, Sytari theksoi përkushtimin e tij për mbrojtjen e mesazhit profetik, duke bërë të ditur se tabela do të shumëfishohet dhe shpërndahet në vende të ndryshme, pasi sipas tij “askush nuk mund ta ndalë të vërtetën”.

