Në një mbrëmje ku ankthi dhe magjia e garës ishin të prekshme në ajër, Shqipëria shpërtheu me gjithë fuqinë e saj artistike në skenën e Eurovision Song Contest 2025, që këtë vit zhvillohet në Bazel të Zvicrës. Grupi Shkodra Elektronike, me këngën “Zjerm”, elektrizoi atmosferën dhe rrëmbeu zemrat e publikut me një performancë që ishte më shumë se muzikë, ishte një manifest i identitetit dhe shpirtit shqiptar.

Shkodra e muzikës, e mjeshtrave të pentagramit, e poetëve dhe e këngës, rikthehet me një tjetër rizgjim të shpirtit të saj krijues, me një tjetër pretendim për të qenë në majë. Ajo i dëshmon botës se mekohet prej atij zjarri që ndez “Zjerm”: të bukurën, të madhërishmen, të magjishmen, artin e këngës, bekimin e zërit dhe harmonisë, vargjeve dhe performancës.

Ka qenë kjo magji që solli dyshja Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, themelues të grupit Shkodra Elektronike, dhe “Zjerm” që e ktheu mbrëmjen e Bazelit në një natë të paharrueshme për gjithë shqiptarët. Të etur për zjarrin e ndjenjës kombëtare, ata treguan se arti dhe e bukura janë ambasadorët më të denjë të aspiratave tona, dhe se këto duhet mbështetur me solidaritet e emocion. Falë kësaj përkrahjeje dhe një prezantimi të jashtëzakonshëm, Shqipëria siguroi vendin e saj në finalen e madhe të Eurovision Song Contest 2025.

E përflakur nga drita dhe ritmi, “Zjerm” solli në skenë jo vetëm një melodi, por një vizion artistik të guximshëm: një përplasje mes lashtësisë dhe modernes, ku ritmet etnike shqiptare u ndërthurën mjeshtërisht me pulsimin e muzikës elektronike bashkëkohore. Kjo simbiozë krijoi një univers të ri tingujsh që zgjoi emocion, habi dhe krenari.

Reagimi i publikut ishte i menjëhershëm dhe i zjarrtë. Arena shpërtheu në duartrokitje, ndërsa rrjetet sociale u mbushën me komente entuziaste nga të gjitha anët e Europës. Shumë e cilësuan këtë interpretim si një nga më origjinalet dhe më të paharrueshmet e mbrëmjes, duke e renditur Shqipërinë ndër favoritët për trofeun e këtij viti.

Ky sukses nuk është vetëm një arritje muzikore. Është një akt përfaqësimi i një kulture që di të ruajë rrënjët dhe, njëkohësisht, të guxojë me ritmet e kohës. “Zjerm” është pasqyrë e shpirtit shqiptar: e papërmbajtshme, e thellë dhe e patrembur.

Të shtunën, më 17 maj, Shqipëria do të ngjitet në finalen e madhe, mes 26 shteteve garuese, me një zë që nuk flet vetëm shqip, por edhe gjuhën universale të ndjenjës dhe artit.

“Zjerm” është një thirrje për ripërtëritje shpirtërore, një reflektim mbi identitetin dhe një apel për bashkim e solidaritet, sot dhe përgjithmonë, sepse ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, dhe përmes kësaj përmbushjeje krijojmë një të sotme të denjë për veten dhe për të tjerët. Ajo mbart një energji të fuqishme, duke kombinuar traditën shqiptare me mesazhe universale dhe tinguj modernë, një harmonizim që përshkon si një fill drite gjithë këtë shpalosje drithëruese.

Interpretimi mbetet i hapur për emocionet dhe përvojat e çdo dëgjuesi, çka e bën këtë këngë një vepër artistike komplekse dhe të ndjeshme, një nevojë për komunikim dhe një balsam për shërim.

Po, kjo këngë me të gjithë komponentët e saj rrëzoi paragjykimet dhe shkallmoi çdo logjikë të sëmurë që mohon intuitën dhe shijen e publikut. Kësaj here ishte një ballafaqim i guximshëm i artit me publikun, dhe fituan të gjithë: fitoi vlera, krijimtaria, fuqia vokale, muzika dhe aranzhimi; fitoi shija e rafinuar, bashkimi i traditës me modernen. Fitoi Shkodra Elektronike, fitoi “Zjerm”.

Ngrohtësi solli në çdo zemër, prush hodhi në çdo shpirt, dritë lëshoi në çdo mendje, dhe dalldisi çdo përjetim.

 Përgatiti: Albert Vataj

By Editor