Me e kuptu gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni asht e pamundun pa u kthy, së paku, në vitet që nga viti 1945 e këndej, kur u gatu «kombi sllavomaqedon» në kuzhinat e UDB-së, për me e kriju murin me bullgarët. Rreth 20 mijë bullgarë në Maqedoni janë egzekutu menjëherë mbas Luftës së Dytë Botnore, dmth. ka pasë një terror, për me mujtë me kriju një pjellë të «kombit sllavomaqedonas». Një eksperiment i ngjashëm po ndodh me përpjekjet me kriju «kombin kosovar».
Në gjithë ato vite të krijimit të «kombit maqedonas», shërbimi sekret serb ka qenë dadoja që i ka ndejtë mbi krye kësaj foshjeje. Vetëm Serbia ka pasë interes me pasë «komb maqedonas» për me kriju një ledh të sigurtë antibullgar. Në fillim bullgarët e paguen shtrejtë dhe gati u shfarosën në Maqedoni, sepse ata ishin pengesa kryesore e planeve afatgjata serbe. Kjo asht arsyeja që në Maqedoni kundërshtohet me zjarr njohja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë. Mbrapa kësaj kundërshtie qëndron Serbia. Faktori i dytë që duhej me u zhdukë ishin shqiptarët.
Kjo asht arsyeja që me gjithë ndërrimin e regjimeve të ndryshme nëpër kohë, trajtimi i shqiptarëve në Maqedoni asht si aj i hebrejve nën Gjermaninë naciste. Serbia ka kontrollu dhe kontrollon çdo nyje të hierarkisë politike e institucionale të Maqedonisë dhe elemente të shërbimit sekret serb nuk lanë rast pa shfrytëzu për me i luftu shqiptarët. Rasti ma i freskët asht ky në Veles, ku Kuvendi Komunal ka votu që të MOS hapen dy klasa në gjuhën shqipe. Pra, sllavomaqedonët vendosin nëse shqiptarët kanë me pasë klasa në gjuhën e tyne amtare apo jo. Dhe, ambasadorët, BE-ja, ajo bashkësi ndërkombëtare, që nuk len as fija e flokut të serbëve në Kosovë me u prekë nga ndonjë mbivotim i shqiptarëve, mbyllin sytë para terrorit shtetnor sllavomaqedonas.
Sa me ilustru këtë vazhdimësi terrori, po e sjell këtu një dënim që ka marrë gjykata në Shkup në vitin 1989 për një grup shqiptarësh nga Gostivari, që kanë protestu kundër krijimit të «paraleleve të përziera». «Paralelet e përzieme» qenë kriju në këtë kohë për me pamundësu mësimin në gjuhën shqipe në shkollat e mesme për shqiptarët në Maqedoni. «E përzieme» ishte eufemizëm për shkolla ku nuk do të duhej me u mësu në gjuhën shqipe, por kjo nuk mundej me u thënë haptas, kështu që quheshin «klasa të përzieme» dhe në ato «klasa të përzieme» masandej me u mësu vetëm sllavomaqedonisht.
Për me kuptu terrorin e vërtetë, duhet me u pa dënimet drakonike prej 11 vjet burg për të dënuemin e parë, Hajredin Kaza, tetë vjet burg të dytit, 8 vjet dy të tjerëve dhe 6 të fundit, që ishin me moshë të rritur. Gjykata dënon edhe katër të mitun prej 4 deri 6 vjet burg, për shkak se këta kanë kërku me mësu në shkollë në gjuhën shqipe.
Shkuemja e Albin Kurtit në Maqedoni do të duhej me u kuptu në këtë vijë, si përpjekje për me kriju një frymë sigurie, që shqiptarët e Maqedonisë nuk janë jetimë, nuk janë vetëm përballë kleronacizmit serbosllavomaqedonas. Politikanëve shqiptarë të Maqedonisë po shihet se u ka humbë udha në oborr. Veprime si Albini do të duhej ta bante shumë ma shpesh, edhe Edi Rama, dhe të gjithë politikanët e Shqipnisë. Por këtyne s’po u del kohë, për shkak të pazareve me drogë, seksit nëpër zyra dhe hajnive të pafund nëpër projekte të shtrejta.
* * *
U DËNUAN ORGANIZATORËT E DEMONSTRATAVE NË GOSTIVAR
TË AKUZUARIT TË PARË – 11 VJET BURG
Shkup, 3 janar
Kolegji i të pestëve i Gjyqit të Qarkut në Shkup, të cilin e kryesoi gjykatësi Aleksander Boshnjakovski, ua shqiptoi dënimet tetë organizatorëve të demonstratave të nxënësve të shkollave të mesme të Gostivarit. Demonstratat u mbajtën në fillim të tetorit të këtij viti, me qëllim që të pengojnë formimin e paraleleve të përziera në qendrën e arsimit të orientuar «Pançe Popovski».
Për veper penale të bashkimit për të kryer veprimtari armiqesore e në lidhje me veprën penale të rrezikimit kundërrevolucionar të rregullimit shoqëror, i akuzuan i parë Hajredin Kaza (32) nga Gostivari u dënua me 11 vjet burg. Me 8 vjet burg u dënuan Nazif Sinani (29) nga Gostivari dhe Zylçifli Dalipi (29) nga fshati Koritë i Gostivarit, kurse Imerli Bekteshi (19), nga i njëjti fshat i Gostivarit, u dënua me 6 vjet burg. Kolegji i të pestëve i Gjyqit të Qarkut Shkup shqiptoi dënime me burg edhe 4 të miturve – nxënës të qendrës «Pançe Popovski» të Gostivarit, në kohëzgjatje prej 4 deri 6 vjet.
Ky grup, siç u vërtetua gjatë shqyrtimit, gjatë kësaj vere formoi organizatën armiqësore «Shoqata e Lirisë». Kjo organizatë organizoi demonstratat armiqësore për të penguar formimin e paraleleve të përziera në QAO «Pançe Popovski» të Gostivarit. Kërkesat e tyre për shkollim vetëm në gjuhen shqipe ishin vetëm paravane prapa të cilëve fshehnin qëllimin e tyre të vërtetë.
«Udhëheqës ideor» i kësaj organizate ishte Hajredin Kaza, i cíli më parë vuajti dënimin me burg prej 6 vjetësh për shkak të pjesëmarrjes në aktivitete armiqësore. Në mbledhjet e kësaj organizate armiqësore me rastin e organizimit të demonstratave pati madje edhe propozime per formimin e grupeve të armatosura që do të vepronin në rast të «konfliktit me policinë». (Tanjug)
(Gazeta «Rilindja», e mërkurë, 4.1.1989)
Publikoi: Agim Morina