Nga Ermal Mulosmani
Donald Trump dhe Elon Musk duket se nuk do të kenë paqe. Së fundmi, njeriu më i fuqishëm në botë shkroi në platformën e tij sociale këtë tekst:
“…Pa subvencione, Elon ndoshta do të duhej të mbyllte biznesin dhe të kthehej në shtëpi në Afrikën e Jugut.”
Dhe nga një konstatim me nota kërcënuese, kalon në një kërcënim të hapur:
“Mjaft me lëshime raketash, satelitësh apo prodhim makinash elektrike, dhe vendi ynë do të kursente një pasuri. Ndoshta duhet ta bëjmë DOGE-in ta shqyrtojë mirë dhe me kujdes këtë?”
Pra, zoti Trump po i sugjeron krijesës së Elon Musk-ut, DOGE-it, të hetojë biznesin e ish-shefit të tyre.
Kjo është një fazë e re e konfliktit. Moderimi dhe gjuha e nënkuptimit kanë rënë. Tërheqja dhe kërkimi i faljes nga Musk duket se ka qenë provizore. Bindja e tij, sipas së cilës: “Unë e solla në fuqi Donald Trump,” për momentin është mendimi më i keq që mund t’i vijë në kokë.
Mbretërit nuk e duan mirënjohjen – e urrejnë atë. Ata, në rastin më të mirë, kërkojnë mirënjohjen e të tjerëve, por nuk janë gati ta japin atë për asnjë çmim. Përkundrazi, e urrejnë aleatin, sepse u kujton dobësinë e dikurshme, pasigurinë e tyre. Prandaj aleati është i sakrifikuari i parë.
Putini dhe shkopi i tij
Konflikti i Trump me Elon Musk më kujton luftën e para 20 viteve të Putinit me biznesmenin Hodorkovski.
Në vitin 2003, Hodorkovski ishte pasaniku më i madh i Rusisë, me një pasuri të llogaritur në rreth 16 miliardë dollarë. Sipas Forbes, ai ishte i 16-ti në botë. Aso kohe, Hodorkovskit iu krijua përshtypja se mund të rivalizonte Carin e Kremlinit edhe në politikë.
Ky ishte fundi i tij.
Cari – siç e shpjegoi vetë ca kohë më vonë – përdori me forcë “shkopin”:
“Siç e shoh unë – deklaroi Putini në një intervistë për Le Figaro në vitin 2000 – shteti ka një shkop të cilin e përdor vetëm një herë. Dhe goditja jepet në kokë. Nuk e kemi përdorur akoma shkopin.”
Oligarkët duhet ta kishin lexuar me kujdes këtë thënie. Vendi ishte në krizë të thellë ekonomike, politike dhe sociale. Por karrigia e pushtetit kishte gjetur “bythët e duhura”. Është ndoshta deklarata më e sinqertë që ka dhënë Cari i Kremlinit, menjëherë pas ardhjes në pushtet.
Berezovski dhe Hodorkovski do ta provonin çomangën putiniane në kokën e tyre. Njëri u vetëvra, tjetri përfundoi në burg për 11 vjet dhe më pas në azil. Shkopi nuk ra vetëm mbi kokën e Hodorkovskit apo Berezovskit, por në të gjithë biznesin rus. Secili preku kokën e vet për të kuptuar që çomanga putiniane ishte ngritur dhe nesër mund të binte mbi ta. Nënshtrimi ndaj “shkopit” ishte i gjithanshëm.
Demokracitë dhe tundimi i autoritarizmit
Unë mendoj se të gjithë liderët demokratë, të ardhur në pushtet me zgjedhje të lira, kanë brenda vetes një ëndërr: “Si të bëhen autoritarë dhe të pavarur nga zgjedhjet!”
Për ta ilustruar këtë tezë, po sjell një bisedë të trilluar mes dy politikanëve të lartë, njëri spanjoll e tjetri anglez, e rrëfyer në romanin Një zemër kaq e bardhë të shkrimtarit Javier Marías. Biseda është trilluar, por përmbajtja e saj të bën të reflektosh:
Në një moment, zyrtari spanjoll (ministër) e pyet kolegen angleze nëse do çaj. Pyetja është aq e thjeshtë sa mund të kuptohej edhe pa përkthyes.
Juanin e kap një guxim prej të marri që përcakton një rrjedhë bisede mjaft interesante. Ai e përkthen pyetjen kështu:
“A ju duan në vendin tuaj?”
Ministri spanjoll përgjigjet:
“Shikoni, mendoj se për diktatorët, për pushtetarët që nuk votohen asnjëherë dhe nuk zgjidhen në mënyrë demokratike, ka më shumë dashuri në vendin e tyre. Ka gjithashtu shumë urrejtje, merret vesh, por duhen më fort nga ata që i duan, të cilët, për më tepër, shtohen vazhdimisht.”
Pak më vonë ai vijon, duke iu referuar Frankos:
“Unë nuk mund të bëj atë që bënte diktatori ynë Franko, nuk mund t’i mbledh njerëzit për një akt mbështetjeje në sheshin e Orleanit, që të na brohorasin – neve të kabinetit, dua të them. Franko e bënte me çfarëdo lloj preteksti dhe thuhej se njerëzit shkonin me detyrim për të brohoritur. Është e vërtetë gjithashtu se e mbushnin sheshin. Ka fotografi dhe dokumentarë që nuk gënjejnë. Dhe jo të gjithë shkonin nga shtrëngimi, sidomos vitet e fundit, kur reprezaljet nuk qenë edhe aq të ashpra. Shumë njerëz kanë qenë të bindur se e donin. Por pse? Sepse më parë kishin qenë të detyruar ta donin, dekada me radhë. Të duash dikë është zakon.”
Anglezja ndërhyn:
“Oh, mik i dashur, sa mirë ju kuptoj! Sa do të jepja për një akt mbështetjeje të tillë! Në vendin tim, fatkeqësisht, kjo shfaqje e një kombi të tërë të bashkuar si për festa ndodh vetëm kur protestojnë. Është shumë ligështuese të dëgjosh sesi na shajnë pa na dëgjuar dhe pa i lexuar fare ligjet tona, tërë kabinetin, siç thoni ju, me pankarta fyese. Shumë e dëshpërueshme… Vallë asnjëherë nuk mund të na brohorasin?”
Juani tmerrohet kur dëgjon dialogje të tilla. Ja sesi e përshkruan ndjesinë:
“O Zot, mendova, këta politikanë demokratë paskan nostalgji diktatoriale. Për ta, çdo arritje dhe çdo konsensus do të jetë gjithmonë vetëm një realizim i zbehtë i një dëshire intime totalitare – dëshira për unanimitet dhe që të gjithë të jenë dakord. Sa më shumë t’i afrohen realizimit të kësaj ëndrre, aq më i madh do të jetë ngazëllimi i tyre. Ndonëse asnjëherë nuk do t’iu mjaftojë. Lavdërojnë kundërshtimin, por në të vërtetë për ta është një mallkim, një pocaqi.”
Dhe për të ardhur në fshatin tonë të humbur…
Po sjell rastin e përdorimit të “shkopit” nga Cari ynë. Ju kujtohet Kompleksi i Fanës në Durrës, në të cilin shpesh Kryeministri apo ministra të tij englendiseshin si në sarajet e veta?
Në vitin 2022, për pak kohë, u krijua ideja se mund të kishte media kryesore që i kundërviheshin Carit tonë shtatlartë. Filluan kronikat e pavarura për shpopullimin, hallet e njerëzve, etj.
Atëherë çfarë bëri Cari ynë?
Nxori shkopin e vet. Me tritol. Ia hodhi në erë Fanën vasalit – kushedi sa miliona euro. Sigurisht, qëllimi nuk ishte Fanja; ai i goditur ishte. Ai dinamit, në fakt, ra në kokën e të gjithë ëndërrimtarëve për pavarësi editoriale.
Që nga ajo ditë nuk ka më opozitarizëm në media. Në fakt, ka – por është me leje. Lihet ndonjë i çmendur si Bushati që bërtet për revolucion. Ai është njeriu që, nëse nuk do të ishte, Cari ynë do ta paguante ta kishte.
Një opozitar që bën thirrje për bojkote, por që pas bojkotit nuk di se çfarë do ndodhë. Bërtet e shan studiove si i marrë nga marazi. Më vjen keq kur e shoh. Sepse është viktima perfekte e Carit: duke mos e konsideruar, po e çmend.