Nga Sebastian Zonja
Së fundmi, ministri i Transporteve në Maqedoninë e veriut Aleksandër Nikoloski tha se do të marrë fondet për Korridorin 8 dhe do t’i përdorë për Korridorin 10.
Korridori 8 lidh Maqedoninë e veriut me Shqipërinë, ndërkohë korridori 10 e lidh me Greqinë dhe Bullgarinë. Për të mos u larguar nga ekonomia ballkanike, duhet të sjellim në vëmendje edhe marrëveshjen e fundit të Serbisë me Rumaninë për gazsjellësat. Të gjitha këto janë zhvillime brenda pak ditësh dhe të vrullshme.
Korridori 8 është pjesë e rrjetit panevropian që në vitin 1994 dhe do të duhej të kishte përfunduar që në vitin 2005. Por ne patëm ca probleme në vitin 1997 se Sali Berisha s’kishte votat për t’u bërë prapë president dhe e shtymë ca vite ndërtimin.
Teksa projekti mbeti në hije sepse Berisha s’u zgjodh dot president së dyti, qeveria Nano as që e pati mendjen aty. Filluan ndërkaq të zhvillohen rrjetet rrugore dhe hekurudhore me financime kineze që në Mesdhe nuk na preknin fare.
Ndërkohë, nëse do kishte pasur ndopak vëmendje nga qeveritë e mëparshme dhe kjo e tanishmja, do të ishim bërë me kohë pjesë integrale e korridoreve europiane. Gjurma e Korridorit 8 përfshin porte detare, aeroportete, rrugë dhe hekurudha. Në total janë 1270 kilometër hekurudha dhe 960 kilometër rrugë.
Njolla e tij është nga porti i Barit dhe Brindisit në Itali, në Durrës dhe Vlorë tek ne. Niset nga Tirana, shkon në Shkup, më pas në Sofje, përmes Plovdivit, dhe përfundon në Det të Zi, në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës. Durrësi, për shembull, apo Vlora, sipas të dhënave, kur përfundon aksi me hekurudhë, rrit vëllimin tregtar deri në 40%.
Por ne do e prishim këtë portin se duhet të ndërtojmë pallate. Në Vlorë do ndërtojmë Lungomaren njëherë që të shesin njerëzit buzë rruge, pa portin të shohim nga vitin 2159 t’i bëjmë ndonjë zgjerim.
Le të shohim pak edhe hekurudhat që do të duhej të ishin, por nuk u zgjodh dot sërish Berisha president në vitin ’97 dhe qeveria Rama ka halle të tjera, ndaj i lamë fare.
Nga historia kemi kuptuar se sa më shumë defaktorizohet transporti rrugor dhe hekurudhor me fqinjët, aq më shumë dobësohet ekonomikisht vendi. Sa më shumë ndërlidhen fqinjët, aq më të izoluar ne.
Dikur, nga viti 1850, gjermanët ndërtuan korridorin Nish – Selanik se u duhej për tregtinë e tyre. Ne shqiptarët dolëm nga harta fare. Sot, ndërsa fqinjët bëjnë plane ekonomike për korridore jetësore tregtare, qeveria jonë ka hallin si të vjedhë sa më shumë me koncesione, ndërsa opozita të akuzojë SPAK-un se ka arrestuar padrejtësisht Sali Berishën, siç i hoqën padrejtësisht presidencën në vitin 1997.