Bashkia e Durrësit ka ngritur alarmin për përkeqësim të kushteve atmosferike, duke paralajmëruar erëra të forta që pritet të prekin qytetin bregdetar gjatë orëve në vijim dhe gjatë ditës së nesërme.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në rrjetet sociale, bazuar në parashikimet meteorologjike, era nga drejtimi jugor do të nisë të forcohet duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme. Shpejtësia e saj pritet të arrijë deri në 25 metra për sekondë, çka mund të sjellë rrezik për sigurinë publike.
Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet dhe lëvizjet e panevojshme, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat e hapura dhe pranë bregdetit.
Bashkia rekomandon që qytetarët të informohen vazhdimisht përmes njoftimeve zyrtare dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve për garantimin e sigurisë së tyre dhe të familjarëve.

