Në prag të marshimeve tradicionale për Pashkët në Gjermani, kancelari Olaf Sholz me anë të një video-mesazhi uroi kombin e tij duke u ndalur dhe në periudhën e vështirë me të cilën Evropa ballafaqohet për shkak të luftës në Ukrainë.
Sholz nënvizoi gjatë fjalës së tij se Vladimir Putin nuk do e përmbushë synimin e tij për të ndryshuar kufijtë me dhunë dhe se Gjermania do vijojë të mbështesë Ukrainën.
“Vladimir Putin shkeli një nga parimet bazë të paqes me përpjekjen e tij për të ndryshuar kufijtë me forcë. Por ne e kemi në dorë, ta ribëjmë të vlefshëm këtë parim. Duke e mbështetur Ukrainën edhe më tej, të vendosur e me maturi.” – u shpreh Sholz.