Nga Xhafer Sadiku
Më 1881, Polo Meksi, djal i ri, udhëtonte shpesh midis Stambollit dhe Bukureshtit për një çështje private (trashëgimie) dhe në Bukuresht u njoh me shqiptarë të emigruar nga zona e Korçës. Visar Dodani, Gjergji Gjeçua dhe Eftim Marko e kishin takuar në dyqanin e Ballamaçit dhe midis të tjerave kishin biseduar për punën që kishin bërë vllehët si prof. Karajani, Apostol Margariti, Ballamaçi etj, për të përhapur mësimin dhe kulturën e tyre. Hymë në sedër edhe ne shqiptarët, – shkruante Visar Dodani, – dhe zumë të çfaqemi e të qajmë hallin tonë të ngratë. Bisedat që bënim ne, Meksi ia tregonte Sami Frashërit në Stamboll, i cili gëzohej dhe i kërkonte adresat tona. Po meqë ne kishim dëftyer dyshime për myslimanët shqiptarë, Sami Frashëri na dërgon me këtë zotëri fare farësh letra e vjersha të shkruara nga i vëllai Naim Frashëri, të cilat na vërtetuan se ata s’janë turq po myslimanë shqiptarë, atdhetarë të flaktë dhe me dituri të lartë.
Dodanit e të tjerëve u doli frika dhe filluan letërkëmbimin me Sami Frashërin i cili bashkë me Naimin dhe gjashtë të tjerë kishin formuar në Stamboll një shoqëri me emrin “Drita” dhe kishin botuar një periodik me të njëjtin emër, nën drejtimin e Pandeli Sotirit.
Ata thirrën një mbledhje të shqiptarëve në shtëpinë e Vasil Tërpos dhe formuan një shoqëri të vogël për të botuar libra në gjuhën shqipe dhe ia vunë emrin “Deg’ e shoqërisë së Stambollit për vivlla shqipe” dhe mblodhën 1700 franga.
Më 1884, shoqëria e vogël u zgjerua dhe mori emrin “Drita”. Ata mblodhën fonde të shumta për botimet në gjuhën shqipe.