Nga Arbër Zaimi
Një gjimnaziste shtatëmbëdhjetëvjeçare vrau veten javën që shkoi, në banesën e saj në Gjirokastër.
Ajo la pas një letër në anglisht. Fjalët e mbrame ma merr mendja se njeriu i thotë në gjuhë të huaj vetëm atëherë kur komuniteti-amë i është shndërruar në komunitet-njerkë. Kur shoqëria e gjerë dhe e ngushtë zhbëhet e në të gjen më shumë armiq se miq ndodh çshoqërizimi, disocimi, e me vetëdije përzgjidhet e huaja sepse prej saj së paku nuk pret farë ngrohtësie e njerëzillëku, ndryshe nga jotja që mbart implicit premtimin për komunitet por në dështim thyen, zhgënjen.
Në letrën e vajzës shkruhet për dëshirën dhe pamundësinë e saj për t’u ndier e barabartë me shoqet e shokët e saj, për të mos patur rrobat e njëjta e të vjetra. Tragjedia e vajzës ndodhi në të njëjtën javë kur mediat oshëtijnë për petkat e shtrenjta të elitës së Tiranës. Të duket sikur një skenarist hyjnor ka planifikuar bashkëkohësinë e këtyre dy ngjarjeve, të dyja pasqyra të shoqërisë sonë njerkë. Një politikane e lartë, e veshur me një pallto kushedi sa të shtrenjtë, fshinte shenjat e markës së palltos prej fotove në rrjetet sociale, që të mos ia kapë rrebeshi mediatik i kohës. E skamura dëshiron veshje ca më të reja për t’u ndier e pranuar, sepse ashtu e lyp mesatarja shoqërore që për model merr imazhet e të kamurave që imponohen kudo prej industrisë mediatike e reklamore. Ndërsa e kamura, vetë modeli shoqëror, mban veshjet më të shtrenjta por përpiqet t’i mesatarizojë me fotoshop. Lypet cipë për të t’u skuqur faqja.
![WhatsApp Image 20250101 at 212157 | Kumti](https://kumti.net/wp-content/uploads/2025/01/WhatsApp-Image-2025-01-01-at-212157-1024x576.jpeg)
Vajza, siç thuhet, ishte kthyer disa herë prej shkollës në shtëpi, ndoshta për t’i dhënë fund jetës, por gjithnjë kishte gjetur aty të atin, dhe kjo e kishte vonuar aktin fatal. Pasanikët kanë shumë shtëpi e banesa të zbrazëta, ku nuk i pret askush e nuk i pengon asgjë, megjithatë s’u shkon mendja. Lypet ndërgjegje për të të vrarë ndërgjegjja.
I ati i vajzës prej vitesh nuk punonte dot si pasojë e një aksidenti në punë, familja pra i kish punët ngushtë ekonomikisht, si shumë familje ku punon vetëm njëri prind e ndoshta edhe si shumë sosh ku punojnë të dy prindërit. Puna dhe rroga nuk janë më garantues të mirëqenies në shoqërinë tonë. Çuditërisht mospuna e ambalazhuar me luks shpeshherë është model suksesi. Nëse kjo shoqëri, me këto vlera të përmbysura, është shoqëria e shqipes, atëherë të mos habitemi me të rinjtë që fjalët e tyre më të ndjera, të hidhura a të ëmbla qofshin, do të na i thonë në gjuhë të tjera.