Shorti për fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve solli përballje aspak të lehta për pretendentët.

Sfida më e vështirë konsiderohet ajo mes Mançester Sitit dhe Bajernit të Mynihut. Pep Guardiola rikthehet sërish në Mynih tashmë si kundërshtar, ndërsa të dy ekipet janë pretendente për fitimin e trofeut këtë sezon.

Goglat e shortit rezervuan përballjen italiane mes Napolit dhe Milanit. Napoletanët po zhvillojnë një sezon të jashtëzakonshëm me titullin kampion thuajse të hipotekuar dhe me ambicien për të lënë gjurmë në evropë. Milani shpreson te pasha e fanelës në champions në një sezon me shumë ulje-ngritje.

Kampionët në fuqi të Real Madridit sfidojnë Çelsin e Graham Poterit që po kalon një sezon me jo pak vështirësi.

Interi i Simone Inzagit peshkon një tjetër ekip portugez në short pasi do të përballet me Benfikën. Zikaltrit kaluan me shumë vështirësi Porton, por Benfika ka treguar se ka tjetër potencial në këtë sezon.

Fituesja e çiftit Siti-Bajern luan në gjysmëfinale me fituesen e çiftit Real Madrid-Çelsi, ndërsa fituesja e çiftit Napoli-Milan luan në gjysmëfinale me fituesen e çiftit Inter-Benfika. Në gjysmëfinale mund të kemi një derbi Milan-Inter, gjithnjë nëse dy ekipet e Milanos arrijnë të kualifikohen.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *