Ish-zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi bashkë me gjyqtarin e Gjykatës së Apelit në Shkup, Enver Bexheti u shpallën “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara me akuzën se ndërhyne në procesin gjyqësor ndaj Sasha Mijallkov.
Në motivacion theksohet se Grubi u përpoq të lehtësoje pozitën e ish shefit të Shërbimit Sekret maqedonas në përballjen e tij me drejtësinë.
Grubi ushtroi ndikimin e tij te gjyqtari Bexheti në favor të Sasha Mijallkovit.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Angela Angeler shkroi në rrjetet sociale se përfshirja e Grubit dhe Bexhetit në listën e zezë dëshmon angazhimin amerikan për mostolerimin e ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë.
“Përzgjedhja e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrjet politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërojnë ata që përfshihen në korrupsion që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin publik”, shkroi ambasadorja Ageler.