Liverpuli i këtij sezoni duket se e ka të pamundur të fitojë tre ndeshje radhazi. Të kuqtë u mundën mbrëmë në Anfilld 1-2 nga Lids Junajtid duke i dhënë fund rekordit prej 70 ndeshjesh pa humbje në shtëpi. Tregues i qartë ky i krizës së Liverpul që gjatë këtij sezoni paraqitjet e mira i ka patur me pikatore. Zero pikë në dy përballjet e fundit në kampionat ndaj Notingam Forest dhe Lids Junajtid që luftojnë për mbijetesë duket se kanë trazuar ndjeshëm ambientin në Liverpul.
Tekniku, Jurgen Klop, i vendosur në qendër të kritikave, u mbrojt duke thënë se ndeshjet e shumta kanë sjellë mbingarkesë tek lojtarët, pa harruar dhe dëmtimet e disa titullarëve të cilat po ashtu kanë ndikuar në paraqitjet e skuadrës. “Lojtarët po luajnë çdo ndeshje pa patur mundësi të pushojnë. Dëmtimet që nga nisja e sezonit na kanë penalizuar duke ndikuar në paraqitjet tona dhe duke na sjellë deri në këtë situatë krize. “ – u shpreh Klop.
Ndryshe e sheh situatën një një nga legjendat e klubit, ish-kapiteni, Xhemi Karrager, për të cilin kjo nuk është krizë e përkohshme, por dëshmi se ekipi ka probleme serioze. “Liverpuli ka probleme serioze dhe kjo nuk është thjeshtë një krizë e përkohshme. Çfarë po ndodh me këta lojtarë që janë hija e vetvetes krahasuar me ata të disa muajve më parë?”- tha Karrager për Sky Sport.