Vijon tensioni politik brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’i dhënë mandatin e deputetit për Qarkun Tiranë kandidates Kleana Xhuveli. Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka depozituar një ankesë zyrtare në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke kundërshtuar vendimin e KQZ-së.
Sipas përfaqësuesve të kësaj force politike, vendimi i KQZ-së është i pavlefshëm, pasi kandidatët e listës së mbyllur për Qarkun Tiranë, përfshirë edhe Xhuvelin, kishin dorëzuar paraprakisht dorëheqje nga kandidimi – konkretisht më 11 maj 2025, para nisjes së procesit të numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare.
Në kërkesën zyrtare të depozituar në KAS, “Shqipëria Bëhet” kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së, njohjen e dorëheqjeve të dorëzuara dhe shpalljen si fitues të Adriatik Lapajt – kandidatit më të votuar në listën e hapur të koalicionit në Qarkun Tiranë.
Lapaj sfidon KQZ-në dhe refuzon “revokimet”
Sipas argumentimit të paraqitur nga “Shqipëria Bëhet”, KQZ duhej të kishte vepruar në përputhje me parimet e ligjshmërisë dhe të shpërndarjes së mandateve sipas vullnetit të shprehur nga kandidatët që kishin hequr dorë nga gara. Në këtë kuadër, sipas tyre, Adriatik Lapaj duhet të ishte shpallur deputet, si kandidati më i votuar nga qytetarët në listën e hapur.
Në ankimimin drejtuar KAS-it, Lapaj i qëndron pretendimit se mandati nuk mund t’i kalojë Xhuvelit, pavarësisht revokimit të dorëheqjes që ajo dorëzoi më 17 korrik. Njësoj vlen edhe për kandidatin tjetër të listës së mbyllur, Zeqir Kordhoni, i cili kishte paraqitur dorëheqjen më 15 korrik dhe më pas tentoi ta revokojë.
SHB kërkon që KAS të mos i njohë këto revokime si të vlefshme, duke theksuar se dorëheqjet e paraqitura janë bërë në kohë të rregullt dhe përpara përfundimit të numërimit.
Kërkesa zyrtare e “Shqipëria Bëhet” në KAS përfshin:
Ndryshimin e vendimit të KQZ-së, nr. [pa specifikuar], datë 23.07.2025, për caktimin e kandidatëve fitues në Qarkun Tiranë nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”. Mosnjohjen e revokimeve të dorëheqjeve të dorëzuara nga Zeqir Kordhoni (më 15.07.2025) dhe Kleana Xhuveli (më 17.07.2025). Shpalljen si fitues të mandatit të Adriatik Ferman Lapajt, si kandidati më i votuar në listën e hapur të koalicionit. Miratimin e listës së mbetur të kandidatëve të parealizuar me mandat, sipas renditjes nga numri më i lartë i votave parapëlqyese dhe duke respektuar kriterin gjinor.
Pritet vendimi i KAS
Tashmë pritet që Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve të shqyrtojë këtë ankesë dhe të japë një vendim përfundimtar mbi mandatin e deputetit që do të përfaqësojë Qarkun Tiranë në Kuvend.
Situata ka tensionuar më tej raportet brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, ndërsa Adriatik Lapaj nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij se mandati i takon vetëm atij, si kandidati që ka marrë më shumë vota nga qytetarët dhe që, sipas tij, përfaqëson realisht vullnetin popullor.