Avokati Adriatik Lapaj ka njoftuar mediat se ditën e hënë në ora 18 e 30 do të prezantohet partia e re politike e quajtur “Shqipëria Bëhet” e cila pritet të drejtohet prej tij.
Lapaj ka theksuar në njoftimin e tij se krijimi i kësaj force të re politike do të ndryshojë debatin publik në vend duke u dhënë prioritet kauzave konkrete si ndryshimi i sistemit zgjedhor, ligjit për referendumet dhe votës së emigrantëve.
Ditët e fundit Lapaj ka publikuar disa video duke njoftuar se lëvizjes së tij politike do t’i bashkohen disa figura publike si mjeku Tritan Kalo, gjenerali Dedë Prenga, aktori Florian Binaj, apo gazetarja Edona Haklaj.