Shqipëria ka siguruar për herë të parë në historinë e saj pjesëmarrjen në play-off të Kupës së Botës, ndërsa të enjten pritet të mësojë kundërshtarët që do të ketë përballë në gjysmëfinale dhe më pas, nëse kualifikohet, edhe në finalen vendimtare për biletën e Botërorit të verës së ardhshme.
Bazuar në renditjen aktuale të FIFA-s, Shqipëria do të jetë në vazon e tretë, njësoj si Kosova. Të dy kombëtaret do ta zhvillojnë ndeshjen gjysmëfinale jashtë fushe, përballë një skuadre të pozicionuar në vazon e dytë. Rezultatet e ditës së fundit të kualifikueseve kanë përcaktuar më në fund katër skuadrat e mundshme që mund të bien përballë kuqezinjve dhe dardanëve.
Pas ndryshimeve të ndodhura në grupe dhe lëvizjeve në renditjen e FIFA-s, tabloja është qartësuar: Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia janë rivalët potencialë të Shqipërisë dhe Kosovës në raundin e parë të play-off-it.
Shorti i FIFA-s do të vendosë jo vetëm çiftet gjysmëfinale, por edhe rrugët e mundshme deri në finale. Fituesit e çifteve mes vazove 2 dhe 3 do të përballen më pas me fituesit e ndeshjeve mes skuadrave të vazove 1 dhe 4. Po atë ditë, do të hidhet shorti që përcakton skuadrën pritëse të finales.
Ndeshjet gjysmëfinale të play-off-it zhvillohen më 26 mars, ndërsa finalet vendimtare do të luhen më 31 mars. Shqipëria dhe Kosova hyjnë në këtë rrugëtim historik me shpresën për të prerë për herë të parë biletën për një Botëror.

