Në vitin 2025 rezulton se ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

Deri në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 27,514 banorë, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER) të Policisë së Shtetit, duke shënuar një nivel rekord. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 65%, janë për arsye pune dhe rreth 15% për bashkim familjar.

Në raport me vitin 2024, numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi u rrit me rreth 4,800 persona, ose 22%.

Nga totali prej 27,514 lejesh qëndrimi aktive deri në fund të vitit 2025, shumica e të huajve janë nga Kosova dhe Italia.

Numri i shtetasve nga Kosova të pajisur me leje qëndrimi arriti në 6,076 persona, që përbën rreth 22% të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 32%. Ndryshe nga shtetasit e tjerë, banorët nga Kosova pajisen me leje qëndrimi me afat pesëvjeçar.

Pas Kosovës, numrin më të lartë të shtetasve të huaj me leje qëndrimi e ka Italia me 3,776 persona, që përbëjnë 14% të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 75%.

Përveç Italisë dhe Greqisë, që tradicionalisht kanë kryesuar për leje qëndrimi, në vitin 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme e shtetasve nga India, Filipinet dhe Egjipti, të cilët renditen përkatësisht në vendin e tretë, të katërt dhe të pestë.

Numri i shtetasve nga India në vitin 2025 arriti në 2,399 persona, ose 47% më shumë se një vit më parë, duke përbërë 14% të totalit të të huajve me leje qëndrimi. Ata punojnë kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë së informacionit.

Shtetasit nga Filipinet të pajisur me leje qëndrimi në vitin 2025 ishin 2,213 persona, ose 130% më tepër krahasuar me vitin 2024. Ata punojnë kryesisht në shërbimet shtëpiake, hotele dhe restorante, e më pak në sektorin fason.

Në vitin 2025, numri i shtetasve nga Egjipti ishte 2,007 persona, rreth dy herë më shumë se në vitin 2024. Ata punojnë në sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe bujqësinë, dhe përbënin 7% të totalit të të huajve.

Numri i shtetasve nga Turqia ishte 1,862 persona, ose 7% e totalit, me një rritje prej rreth 47% krahasuar me vitin 2024.

Shtetasit nga SHBA arritën në 1,128 persona, ose 164% më shumë se në vitin 2024. Nga Mianmari ishin 445 persona (2% e totalit), me rritje 77%, ndërsa nga Kina 362 persona, ose 42% më shumë se një vit më parë. Numri i shtetasve nga Nigeria arriti në 184 persona gjatë vitit 2025.

Aplikimet e reja për 2025

Gjatë vitit 2025 janë përpunuar gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, krahasuar me 13,176 aplikime në vitin 2024, ose 47% më shumë.

Shtetësitë kryesore që aplikuan për herë të parë për leje qëndrimi në vitin 2025 ishin: India me 2,691 aplikime (14%), Filipinet me 2,415 (13%), Italia me 2,239 (12%), Egjipti me 2,198 (11%), Kosova me 1,813 (9%), Turqia me 1,441 (7%), SHBA me 606 (3%), Mianmari me 506 (3%), Rusia me 442 (2%) dhe Ukraina me 312 aplikime (2%).

Motivi kryesor për pajisjen me leje qëndrimi vijon të jetë punësimi dhe bashkimi familjar. Për vitin 2025, 65% e aplikimeve të reja ishin për leje unike punësimi, 13% për bashkim familjar dhe rreth 5% për qëllime studimi. Numri i shtetasve të huaj që aplikuan për leje të përhershme qëndrimi ishte 40 persona, ose 0.2% e totalit të aplikimeve.

Burimi: Monitor.al

https://monitor.al/numri-i-te-huajve-qe-jetojne-ne-shqiperi-arrin-rekord-ne-2025-n-rriten-india-filipinet-dhe-egjipti/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *