Shqipëria rezulton vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve. Një analizë e bërë nga Monitor, bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe platformës Global Petrol Prices, tregon se pesha e karburantit në buxhetin e qytetarëve shqiptarë është më e larta në kontinent.

Sipas të dhënave për vitin 2026, të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri arrijnë rreth 12 mijë dollarë në vit, ose rreth 33 dollarë në ditë. Ndërkohë, një litër naftë tregtohet rreth 200 lekë, ose afërsisht 2.4 dollarë.

Kjo do të thotë se një qytetar shqiptar duhet të shpenzojë rreth 7.2% të të ardhurave ditore për të blerë vetëm një litër karburant, përqindja më e lartë në Europë.

Në vendet e rajonit pesha është dukshëm më e ulët. Në Serbi një litër karburant përfaqëson rreth 3.7% të të ardhurave ditore, në Mal të Zi 3.6%, ndërsa në Rumani rreth 2.8%. Edhe në Greqi, një nga tregjet më të shtrenjta të karburantit në Europë, pesha e një litri nafte është rreth 2.5% e të ardhurave ditore.

Në ekonomitë më të zhvilluara europiane diferenca është edhe më e madhe. Në vende si Italia, Franca, Gjermania apo Belgjika, një litër karburant zakonisht përfaqëson më pak se 2% të të ardhurave mesatare ditore. Ndërsa në Holandë, ku çmimi i naftës është ndër më të lartët në vlerë absolute, qytetarët shpenzojnë vetëm rreth 1.1% të të ardhurave ditore për një litër, rreth shtatë herë më pak se në Shqipëri.

Një nga arsyet kryesore të çmimeve të larta në vend mbetet pesha e taksave, të cilat përbëjnë rreth 60% të çmimit final të karburantit. Në këtë përfshihen akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja.

Po ashtu, në tregun vendas është vënë re se rritja e çmimeve në bursat ndërkombëtare reflektohet shumë shpejt në treg, ndërsa ulja e tyre transmetohet më ngadalë. Kjo tendencë shpesh çon në rritjen e fitimeve për kompanitë importuese dhe tregtuese të karburanteve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *