(Një babel gjuhësor)
Nga prof. Ennio Grassi
Në repertoret bibliografike të këtyre kohëve kushtuar Shqipërisë nuk gjendet asnjë gjurmë e Antonio Baldaccit. Vërtet një hon i madh mungese, po aq sa i pashkak. E të mendosh se Baldacci meriton të sërenditet ndër njohësit më të mirë të realitetit shqiptar që gurronte kur shekulli i nëntëmbëdhjetë ndërrohej me të njëzetin. Qysh nga viti 1892, me kërkesë të Shoqnisë Mbretnore Gjeografike Italiane, ai udhëhoqi plot nëntë dërgata në vendin që përfytyrohej nga popullata lëtire si trevë e mistershme dhe ekzotike.
Njohës i mirë i shkencës e i kulturës, krejt pa paragjykime e me vlojën kureshtare të një shtegtari të njimendttë, Baldacci i ra kryq e tërthor vendit të shqipeve duke qëmtuar e mbledhur një sasi të pamatë të dhënash mbi etnografinë, folklorin, relievin, natyrën etj, të cilat, pesëmbëdhjetë vjet pas dërgatës së mbrame, panë dritën e botimit në një vëllim të paqmë që ende sot shfrytëzohet e lexohet me kënaqësi (“Itinerari albanesi 1892-1902”, Romë, 1917, 541 faqe). Po zgjedhim t’u shpalosim herësëpari lexuesve shqiptarë një shkimëz nga raporti i dërgatës së vitit 1902. Baldacci, i rysur nga vite e vite përvoje in loco, u ndërmend këtu lexuesve problemet e shumta që kish komunikimi në limerin gjuhësor të Shqipërisë së asokohe. (E.G.)
“[…] Rrugëtimi nëpër Shqipëri, veçanërisht në trevat veriake, vijon të mbetet një rrugëtim gjurmues. Kush nuk e njeh gjuhën vendase, por nevoja e ngrydh të udhëtojë, nuk mund t’i mjaftojë veç ndihma e autoriteteve vendase apo e qiraxhinjve, por duhet të zërë shoqëri edhe me një dragoman[1] të besuar që të mos tutet e të mos lodhet. Suvarinjtë dhe zaptiet mund t`i kandisësh me një bakshish prej dy çereke mexhideje në ditë, përpos hejes; vendasit i pajton me tre çereke mexhideje (qiraxhinjtë paguhen në bazë të shumës që kërkojnë për kuajt). Kurse një dragoman nuk të bie pas për më pak se një mexhide në ditë, përpos hejes dhe qirasë së kalit. Kur rrugëton nëpër Shqipërinë e Veriut, dragomani duhet të njohë edhe serbishten përveç gegnishtes, ndërsa kur shkon nga Shqipëria e Mesme drejt Maqedonisë, e mira është të marrë vesh sllavishten maqedonase dhe vllahishten. Në u endtë nëpër Shqipërinë Jugore, duhet doemos të njohë greqisht e vllahisht, përpos toskërishtes. Aq më mirë në dragomani di edhe turqisht dhe është me kombësi shqiptare. Sa i përket besimit fetar, s’ka pikë rëndësie në është katolik, ortodoks a mysliman. Dragomani merr përsipër të kryejë edhe këmbimin e parasë (të napolonave ar) si dhe të ujdisë me fiset vendase. Prania e tij është sa e vyer aq edhe e domosdoshme kur të takon me bujtë nëpër hane apo pranë parisë vendase, ku mirë është të kesh me vete edhe një kartë rekomandimi apo njoftim të veçantë.”.
Përktheu: Ledi Shamku-Shkreli