Pas përballjes prestigjioze me Anglinë, e cila shërbeu më shumë si një test luksi sesa si ndeshje vendimtare, u duk qartë se trajneri Sylvinho kishte nisur të mendonte për fazën “play-off”. Strategjia e tij u pasqyrua në fushë, teksa kurseu 4 nga 5 lojtarët që rrezikonin të humbnin gjysmëfinalen për shkak të kartonëve.
Më 20 nëntor, në orën 13:00, nga Zyrihu, Shqipëria do të mësojë rivalin e saj në fazën vendimtare që çon drejt Botërorit “FIFA 2026”. Kuqezinjtë janë vendosur në vazon e tretë, së bashku me Kosovën, duke shmangur kështu një përballje mes dy kombëtareve shqiptare në gjysmëfinale.
Si pjesë e kësaj vazoje, Shqipëria do të ndeshet me një kundërshtar nga vazoja e dytë, ku aktualisht bëjnë pjesë Sllovakia, Skocia, Republika Çeke dhe Irlanda. Sfidën e parë, kuqezinjtë do ta luajnë në transfertë, disavantazh i drejtpërdrejtë i pozicionimit në vazon e tretë.
Nëse Shqipëria kalon pengesën e parë, atëherë në finalen e “play-off”-it do të përballet me fituesin e një prej çifteve që formohen mes vazos së parë dhe asaj të katërt. Edhe kjo sfidë do të jetë teke dhe fati do të vendoset përmes shortit.
Gjysmëfinalet e fazës “play-off” do të zhvillohen më 26 mars, ndërsa finalet më 31 mars. Për të siguruar një vend në Botërorin “FIFA 2026”, Shqipërisë i duhen vetëm dy fitore, por dy fitore të arta.

