Për dy vitet e ardhshme, Shqipëria planifikon ngritjen e 20 qendrave të reja pritëse për emigrantët nga Afganistani, Pakistan, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, që përdorin vendin si rrugë kalimi drejt Greqisë. Qendrat do të vendosen kryesisht në qarqet Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, me kapacitete që variojnë nga 100 deri në 410 shtretër. Ky projekt bazohet në vendimin “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore 2026–2028”.

Projektvendimi u miratua gjatë mbledhjes së fundit të këshillit konsultativ të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), institucion që vepron në varësi të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.

Aktualisht, kapacitetet pritëse janë kryesisht të përqendruara në Tiranë dhe disa pika të tjera si Gërhot, Kakavijë dhe Kapshticë. Plani i ri synon një shpërndarje më të balancuar në territor, duke përdorur hapësira publike ekzistuese, truall të lirë dhe objekte të braktisura, për të siguruar reagim të shpejtë në rast fluksesh emergjente.

“Ky plan për ngritjen e kapaciteteve pritëse emergjente për menaxhimin e flukseve migratore synon shpërndarje të balancuar në qarqet Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Qendrat do të shfrytëzojnë infrastrukturën publike ekzistuese, hapësirat e braktisura dhe truallin e lirë, duke garantuar një reagim të shpejtë dhe funksional ndaj flukseve të papritura migratore”, thuhet në relacion.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *