Shqipëria po përjeton një situatë të pazakontë në menaxhimin e financave publike. Edhe pse buxheti i vitit 2025 duhej të ekzekutohej plotësisht deri më 31 dhjetor, një pjesë e madhe e tij mbetet e paekzekutuar, duke krijuar një fenomen të paprecedentë: paralizimin e shpenzimeve publike.
Sipas planit të qeverisë, defiçiti buxhetor i vitit të kaluar ishte parashikuar në rreth 61.6 miliardë lekë, ose afërsisht 640 milionë euro. Megjithatë, arrestimet e drejtuesve të institucioneve kryesore shpenzuese duket se kanë ndërprerë funksionimin normal të buxhetit.
Disa institucione, si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), që mbajnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve publike, janë paralizuar për shkak të procedurave ligjore dhe përplasjeve të brendshme. Në rastin e AKSHI-t, bllokimi ka ardhur si pasojë e ankimimeve të tenderave dhe konflikteve mes drejtuesve të saj, që përfunduan me arrestimin e drejtores së agjencisë, Mirlinda Karçanaj, e dyshuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Qeveria ka reaguar duke miratuar një vendim emergjent, që lejon transferimin e shpenzimeve të paekzekutuara në Fondin e Pensionistëve. Ky fond pritet të përdoret si mekanizëm për të shmangur një krizë të menjëhershme të ekzekutimit buxhetor, por ekspertët paralajmërojnë se kaosi i krijuar mund të ketë pasoja të gjera për ekonominë dhe menaxhimin e parasë publike.

