Kombëtarja shqiptare zhvillon sonte një nga ndeshjet më vendimtare në rrugëtimin drejt Botërorit. Kuqezinjtë sfidojnë Serbinë në Leskovc, në një përballje ku vetëm fitorja mban gjallë shpresat për kualifikim, ndërsa çdo rezultat tjetër do ta vështirësonte ndjeshëm misionin.

Trajneri Silvinjo kreu dje seancën e fundit stërvitore, por ende nuk ka hequr dorë nga disa dilema për 11-shen startuese.

Në portë konfirmohet Thomas Strakosha. Para tij, mbrojtja pritet të rreshtohet me Elseid Hysajn në krahun e djathtë dhe Mario Mitajn në të majtë, ndërsa në qendër do të vendosen Berat Gjimshiti dhe Arlind Ajeti.

Në mesfushë, trajneri brazilian duket se ka vendosur t’i besojë Qazim Laçit, i cili do të luajë përkrah Juljan Shehut dhe Kristjan Asllanit.

Sa i përket repartit ofensiv, Mirlind Daku shihet si lideri i sulmit në Leskovc. Atij do t’i bashkohet Armando Broja nga e djathta, ndërsa nga e majta, me shumë gjasa, do të startojë Nedim Bajrami.

Silvinjo synon të hedhë në fushë një formacion agresiv dhe me intensitet, me shpresën se “katana” e sulmit kuqezi do të bëjë diferencën në një transfertë të ndezur dhe me peshë historike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *