Nga Ermal Mulosmani

Kush do ta kishte besuar?

Qeveria e Shqipërisë do të krijojë Fondin Kombëtar të Sigurimit nga Tërmetet. Me fjalë të tjera, do të taksojë me një policë sigurimi të gjitha banesat në Shqipëri dhe do të menaxhojë vetë paratë e mbledhura!

Po, është e vërtetë.

Cep më cep, banesat e reja e të vjetra, në Bajram Curri, Tepelenë, Leskovik apo Dragobi – mjafton të mos jenë prej qerpiçi apo dërrase – do të detyrohen të paguajnë një taksë te Edi Rama dhe qeveria. Nëse nuk e paguan, je automatikisht jashtë orbitës së këtij shteti.

Mund të hiqet edhe e drejta e votës, por ende nuk është shkuar deri aty.

Nuk përfiton më shërbime nga kadastra, as nga portali e-Albania, as nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Nuk ka rëndësi që në vendin ku jeton nuk ka rënë tërmet prej 500 vitesh – ti gjithsesi do të paguash policën. Po s’e deshe, mos e paguaj!

Sa herë dëgjoj termin “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm”, më del përpara syve imazhi i një hajduti të maskuar si shtetar. “Ekspertët” shtetërorë do të “konstatojnë” dëme shpesh të paqena. Paratë e shtetit kanë qenë gjithmonë një shpellë bujare për hajdutët e Alibabës. Aty është parajsa: dy firma në një procesverbal fiktiv dhe një tërmet me intensitet tre ballë kthehet në qindra mijëra euro dëme!

Më kujtohet që, sipas të dhënave, astmatikët në Shqipëri kanë konsumuar më shumë ilaçe sesa janë importuar në vend. Vetëm sa për të dhënë një shembull.

Nëse sigurohen një milion banesa, në arkën e qeverisë do të derdhen shuma të jashtëzakonshme çdo vit. Le të themi 60 milionë euro në vit. Tërmet nuk ka përherë, por ndonjë lëkundje e lehtë mund të ketë 😉

Sistemi etatist, sipas të cilit shteti kujdeset për gjithçka, është një model i provuar si i dështuar, thellësisht parazitar, joefikas dhe në thelb i korruptueshëm. Përveç administratës tatimore, sigurisë, mbrojtjes dhe, pjesërisht, arsimit, gjithçka tjetër në një sistem modern kapitalist duhet ta administrojë sektori privat.

Shteti shqiptar mund të krijojë edhe ndërmarrje ndërtimi, tregtie apo banka shtetërore. Por kjo nuk është ekonomi tregu.

Si mund t’i jepet me ligj monopoli i sigurimeve një enti shtetëror?! Konkurenca është themeli i kapitalizmit – A-ja e alfabetit të tij.

A e di kryeministri dhe ministri i Financave se ekzistojnë kompani sigurimesh që operojnë në një treg të vogël sigurimesh vullnetare, dhe që përpiqen çdo ditë të edukojnë klientët për rreziqet dhe mënyrat e mbulimit të tyre? Dhe tani vjen një vendim arbitrar, monopolist, që shkatërron gjithë këto përpjekje.

Përse do të paguajë më një individ për sigurime vullnetare, nëse shteti e detyron të paguajë sigurimin te fondi i tij?

A e dinë zyrtarët që ky treg embrional i sigurimeve pagoi rreth 40 milionë euro për dëmet e tërmetit të vitit 2019? Nuk janë shumë në krahasim me dëmet, por ishin të mjaftueshme për ata që ishin siguruar – dhe ata i morën paratë brenda vitit 2020, falë risiguruesve ndërkombëtarë.

Po ku e mori kryeministri idenë për këtë fond?

Kam lexuar diku se në Turqi. Por Turqia është një vend ku tërmetet ndodhin pothuajse çdo vit – dhe jo tërmete të vogla, por shkatërruese, me intensitet 7 ballë, që rrëzojnë mijëra ndërtesa.

Në Shqipëri, tërmetet janë dukuri që përsëriten thuajse çdo 20 vjet.

Po bota si e trajton këtë çështje?

Në vende si Franca, Austria apo SHBA, qytetari e siguron vetë pronën e tij. Të mos e sigurosh pronën në këto vende është si të shkosh me pushime dhe të lësh derën hapur – një veprim i pakonceptueshëm.

Ndërsa ne, sapo fillojmë të edukohemi dhe të kuptojmë se shteti nuk është kujdestari ynë, por garantuesi i barazisë para ligjit, vjen një ligj i tillë që themelon një Ndërmarrje Shtetërore Sigurimesh.

Nëse këtë do ta bënte Albin Kurti, Janis Varoufakis apo Sllavoj Zhizhek, nuk do të çuditesha.

Por që ta bëjë Edi Rama… kjo nuk më kishte shkuar kurrë në mendje!

By Editor