Shqipëria është renditur si vendi me tregun më të papërballueshëm të banesave në Europë për vitin 2025, sipas indeksit të Numbeo që mat raportin mes çmimit të apartamenteve dhe të ardhurave familjare. Një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 16.3 vite pune për të blerë një apartament mesatar prej 90 m², më shumë se në çdo vend tjetër të Europës. Ky tregues shënon një përkeqësim të ndjeshëm krahasuar me fillimin e vitit 2024, kur Shqipëria renditej e 32-ta nga 36 vende të matura.

Rritja e fortë e çmimeve të banesave ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë përkeqësim. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, çmimet e banesave u rritën me 23.6% krahasuar me periudhën e mëparshme dhe me 44.5% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, pagat në Shqipëri mbeten të ulëta në raport me rajonin, me një mesatare mujore prej rreth 770 euro, ndjeshëm më pak se në Serbi, Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në qytetet kryesore si Tirana, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele shumë të larta, me zonat qendrore që shkojnë deri në 4,000–5,000 euro për metër katror. Edhe qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora dhe Saranda përballen me çmime që variojnë nga 1,800 në 2,800 euro/m², veçanërisht në zonat turistike dhe me pamje nga deti. Kjo rritje ka bërë që blerja e një banese të jetë gjithnjë e më e paarritshme për familjet me të ardhura mesatare.

Indeksi i çmimeve ndaj të ardhurave ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës, ku Shqipëria renditet gjithashtu e fundit në Europë. Krahas fuqisë së ulët blerëse dhe nivelit të dobët të shërbimeve publike, veçanërisht kujdesit shëndetësor, çmimet e larta të banesave përbëjnë një nga pengesat kryesore për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

By Editor