Shqipëria vazhdon të përballet me hemorragji demografike, ku largimi i të rinjve është dukuria kryesore. Të dhënat e Eurostat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024 rreth 44 mijë shqiptarë emigruan drejt vendeve të Bashkimit Europian. Pas pandemisë, për periudhën 2021-2024, më shumë se 180 mijë persona kanë lënë vendin, pa përfshirë largimet drejt Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku vala e emigracionit kulmoi në 2022.

Analiza sipas grupmoshave tregon dominimin e të rinjve. Grupi më i madh janë personat 25-29 vjeç, me mbi 6 mijë veta ose 14.3% të totalit. Të rinjtë 30-34 vjeç përbëjnë 13% të të larguarve, ndërsa familjet e reja me fëmijë të vegjël përbëjnë gati 18%. Në total, 62% e emigrantëve të vitit 2024 ishin nën 35 vjeç. Edhe grupmosha 35-49 vjeç kontribuon me 20% të emigrantëve, duke përfshirë pjesën më të përvojës së tregut të punës.

Ky fenomen ka rritur ndjeshëm moshën mediane të popullsisë, që nga 34.7 vjeç në 2015 u rrit në 44.3 vjeç në 2025, afër mesatares europiane prej 44.9 vjet.

Ikja e grupmoshës riprodhuese dhe ndryshimi i stilit të jetesës kanë ulur ndjeshëm lindjet. Në vitin 2025, numri i lindjeve ra në 21,425, krahasuar me 82,125 në fillim të viteve ’90, duke vendosur Shqipërinë përpara një krize demografike serioze. Fertiliteti ka rënë në vetëm 1.21 fëmijë për grua.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se emigracioni neto mbetet negativ: në 2024, diferenca mes atyre që ikin dhe atyre që kthehen ishte -43,761 persona, niveli më i lartë i regjistruar. Në 2025, treguesi mbeti i lartë me -28,836 persona, duke konfirmuar se largimi i të rinjve vazhdon të jetë shqetësues.

Burimi: Eurostat

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *