Nga Xhafer Sadiku
(Përpunimi i grupeve artistike nga Sigurimi i Shtetit)
Të gjitha grupet artistike dhe shkrimtarët nga Kosova që shkonin për turne në Shqipëri viheshin nën kontrollin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Kështu, më 4 dhjetor 1978 filloi një turne në Shqipëri trupa e Teatrit të Prishtinës. Që në fillim, Sigurimi i Shtetit kishte përgatitur një plan masash për të mbajtur nën kontroll aktorët, për ndonjë veprimtari të dyshimtë.
Sigurimi mori takim me katër anëtarë të Teatrit Popullor të Tiranës, të ngarkuar si shoqërues të trupës, të cilëve iu la detyrë që gjatë bisedave me ta të tregonin kujdes dhe të vëzhgonin se si do të reagonin për vijën politike të Partisë së Punës, për marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe për marrëdhëniet e Jugosllavisë me Kinën. Gjithashtu, duhej të pyesnin për trajtimin që u bëhej kosovarëve në Jugosllavi dhe për personat që ata kërkonin të takonin. Një pikë e veçantë ishte nëse ata interesoheshin për objektet ushtarake dhe ekonomike të rëndësishme. Sigurimi donte të dinte gjithashtu nëse artistët kosovarë tregonin interes për veprën e Enver Hoxhës “Vetadministrimi jugosllav, teori e praktikë kapitaliste”.
Sigurimi aktivizoi rezidentin “Artisti”, i cili u porosit të takonte informatorët që kishte në lidhje, për t’i drejtuar tek aktorët e Prishtinës: Asllan Hasaj, Afrim Kasapolli, Ali Ahmeti, Adelide Sopi, Xhevdet Lila, Xhevdet Qena, Nuredin Lixha, Naxhije Deva etj., me qëllim që të vëzhgonin reagimet e tyre, pasi ndaj tyre kishte materiale komprometuese.
Përpunimi i aktorëve të Prishtinës u drejtua nga një grup pune prej pesë oficerësh operativë të Sigurimit, të cilët aktivizuan dhjetë bashkëpunëtorë të tij.
Burimi: AIDSSH, ORV, Nr. 239

